A duhet të vaksinoheni nëse e keni kaluar Covidin?

Qëllimi kryesor i vaksinave është luftimi i patogjenëve dhe forcimi i imunitetit të trupit. Nisur nga kjo, shumë njerëz që janë infektuar me Covid dhe janë shëruar, mund të mendojnë se vaksinimi i tyre është i panevojshëm, për sa kohë organizmi e ka luftuar më parë virusin – pra ka imunitet.

“Deri më tani, provat e vaksinave janë përqëndruar te njerëzit që nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj koronavirusit, kështu që efekti i vaksinimit te njerëzit që kanë qenë të ekspozuar më parë është i paqartë,” tha për Guardian Prof. Robin Shattock nga Imperial College London. “Sidoqoftë, meqenëse imuniteti ndaj virusit duket se zbehet me kalimin e kohës, vaksinimi ka vlerë.”

Në vijim, ai theksoi: “Niveli i imunitetit nga një infeksion natyror është me të vërtetë i ndryshueshëm, kështu që disa njerëza kanë një përgjigje shumë të fortë imune, ndërsa disa të tjerë kanë një përgjigje më të dobët. Vaksina do të plotësojë përgjigjen tuaj imune dhe shpresojmë që të sigurojë një mbrojtje sa më të gjatë.”

Edhe pasi janë vaksinuar, është e mundur që disa njerëz të kërkojnë doza shtesë përforcuese për të mbajtur imunitetin e fortë.

Në fund të tetorit, studimet e kryera në Britaninë e Madhe nxorrën në pah se nivelet e antitrupave te njerëzit që kanë kaluar koronavirusin, pësuan një rënie me 27% gjatë periudhës tre mujore gjatë verës duke shtuar frikën e imunitetit “jetëshkurtër”. Megjithatë ekspertët thanë se këto studime nuk kanë pse të jenë shqetësuese pasi situata është mëse normale.

Nivelet e antitrupave të krijuara në organizëm për të mbrojtur sistemin imunitar ndaj koronavirusit bien pasi trupi pastron një infeksion të caktuar. Megjithatë qelizat imune mbartin një kujtesë të virusit dhe mund të prodhojnë antitrupa të rinj kur është e nevojshme./anabel/