A e dini se Naser Korça ka qenë i burgosur politik në vitet 80-ta?

Të gjithë e njohin si drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, por pak njerëz e dinë që Naser Korça ka qenë ish i burgosur politik në vitet 80-ta.

Në një bisedë për Mediafokus.info, Korça tregon se është burgosur nga regjimi i kohës për aktivitete ilegale, qysh në shkollë të mesme.

“Në vitin 1983 ka qenë fillimi i aktivitetit ilegal, konkretisht formimi i celulës së treshësh, në shkollen e mesme të Bujqësisë, në Gjilan. Kemi qenë tri grupe nga tre veta dhe një grup tjetër nga Ferizaji me të cilin isha lidhur unë”, tregon Naser Korça për Mediafokus.info.

Por, cili ka qenë aktiviteti ilegal i kohës?

“Aktiviteti kryesor ka qenë shpërndarja e fletushkave ilegale që nxirrnin në pah padrejtësitë që i bëheshin popullit të Kosoves nga Federata e atëhershme Jugosllave, e në veçanti nga regjimi serb dhe udhëheqja shqiptare që atëherë ishte në krye të Komitetit Krahinor të Kosovës. Me sukses ia kemi arritur që të shpërndajmë shumë fletushka ilegale të kohës, siç ishte Zëri i Kosovës, e cila botohej jashtë”, vazhdon rrëfimin ai.

Më mars të viti 1984 është arrestuar anëtari i parë i celulës së Ferizajit, ndërsa Naser Korça me shokë janë arrestuar  më 15 mars 1984.

Të gjithë ishin të moshës së mitur dhe asnjëri nuk i kishte mbushur 18 vjet.

“Pas gjashtë muajsh hetime dhe vuajtje çnjerëzore nga UDB e atëhershme, u dënova me një vit burg për të mitur nga Gjykata e Gjilanit, një shok tjetër nga Ferizaji, Shyqeri Gjakli, është dënuar me 4 vite në Gjykatën e Prishtinës dhe dy të tjerë me nga 60 ditë burg për kundervajtje. Ndërsa, nga anëtaret tjerë në Gjilan nuk është dënuar asnjëri”, ka rrëfyer ai.

Pas daljes nga burgu, Korça u anatemua edhe më tutje, duke ia ndaluar punësimin dhe regjistrimin në fakultet.

Përndryshe, përndjekja e regjimit ndaj tij ka vazhduar edhe në vitin 1997 dhe 1999, duke u rënë në burg dy herë, herën e fundit në kohën e bombardimeve të NATO’s. /Mediafokus.info/