A e dini se të gjithë e këndojnë gabimisht refrenin “Xhamadani vija-vija…”?
Refreni i këngës së famshme shqipe “Xhamadani vija-vija…”, sipas gazetarit Besnik Krasniqi këndohet gabimisht nga të gjithë, shkruan Mediafokus.info.
Krasniqi thotë origjinali është “n’xhamadanin vija-vija, asht Kosova o asht Shqipnia”, e jo ‘xhamadani…’.
“A e dini se, gati të gjithë, gabimisht e këndojmë refrenin: “Xhamadani vija-vija; Asht Kosova, o asht Shqipnia”. Ky variant që këndohet gjerësisht, është pa pikë kuptimi. Kuptimin e gjeni në tekstin origjinal. Ai është emocional. Është shpërthyes: “N’xhamadanin vija vija; Asht Kosova, o asht Shqipnia”. Pra, “n’xhamadanin”!. Sepse, “n’xhamadanin” me të cilin e mbërthen kraharorin, e ke zemrën, mushkëritë, i ke organet pa të cilat nuk ke jetë. E ke shpirtin. Aty, pra, sipas tekstit origjinal, e ke Kosovën e Shqipërinë!”, thotë ai.
Përndryshe, sipas studiueses Meliza Krasniqi, autor i tekstit të këngës “Xhamadani vija – vija” është Alfred Capalikun, këngë kjo që është kënduar në vitet e 90-ta nga këngëtarja Shkurte Fejza, por që më së shumti i dhezi rock grupit “Ilirët”. Ndoshta për shkak të ngjyrës së zërit të frontmenit të ”Ilirëve’, Shemsi Krasniqi.
Titulli origjinal i saj ishte: “Kam një lot, m’pikon si ar.”/Mediafokus.info/

