A e keni ditur se Dobërçani ka pasur klub në Ligën e Parë të Kosovës, sivjet kremton 50-vjetorin e themelimit

Klubi i futbollit “Studenti” nga Dobërçani i Gjilanit, sivjet kremton 50-vjetorin e themelimit.

Në vitin 1995, klubi ka bërë gara në Ligën e Parë të Kosovës, ku ka arritur suksese të lakmueshme.

Në një shkrim të asaj kohe, botuar në gazetën Rilindja, klubi nga Dobërçani renditet në vendin e tretë të tabelës, menjëherë pas Gjilanit dhe Ulpianës, por përpara Dritës dhe disa klubeve të tjera.

Shefki Daku, ish-sekretar i KF “Studenti” thotë se këto ditë, klubi do të kremtojë 50-vjetorin e themelimit.

Ai rikujton me krenari se “Studenti” ka bërë gara edhe në Ligën e Parë të Kosovës, Grupi i Ferizajt, siç organizoheshin garat asokohe, bashkë me Gjilanin e Dritën.

Studenti, në shumë ndeshje ka qenë befasi e kampionatit, duke shënuar suksese edhe ndaj klubeve të njohura dhe me traditë më të gjatë sportive.

Daku ndihet mirë që klubi e ka vazhduar aktivitetin e tij për 50 vjet, duke kontribuar në afirmimin e sportistëve të rinj dhe popullarizimin e lojës së futbollit edhe në mjedise jashtë urbane.

Siç shihet nga shkrimi i Rilindjes, “Studenti”, në javën e pestë, ka befasuar Kitkën, duke e mundur me rezultat 3:0.

Në takimin që pritet të organizohet sivjet, për të shënuar gjysmë shekulli karrierë, do të rikujtohen shumë ngjarje e episode nga rrugëtimi i gjatë i klubit Studenti./Mediafokus