A i dini emblemat e qyteteve të Kosovës dhe domethëniet e tyre

Përveç shtetit që ka simbolet e veta, që e bëjnë të jetë unik, edhe njësitë më të vogla territoriale që e përbëjnë një shtet, siç janë komunat, i kanë simbolet e tyre.

Kosova numëron gjithsej 38 komuna, por shtatë prej tyre konsiderohen më të mëdha: Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani. Secila nga këto komuna ka veçori që i dallon nga njëra-tjetra.

Fakte Plus sjell nga pak fjali se çfarë simbolike kanë qytetet, çfarë embleme kanë dhe pse janë vendosur ato karakteristika në emblemat e tyre.

Kryeqyteti i Kosovës – Prishtina

Prishtina si kryeqytet i Kosovës, është zona më e zhvilluar ekonomike dhe njëherit qendra kryesore administrative në vend, ku janë të vendosura të gjitha institucionet qendrore të vendit, si parlamenti, qeveria e të gjitha ministritë e saj e shumë institucione tjera të pavarura.

Por çka është simbolikë e Prishtinës, cila është emblema e saj?

Hyjnesha në Fron është artefakt i cili daton që nga vitet e 50-ta, gjatë ndërtimit të fabrikës së tekstilit “Tjerrtorja” në Prishtinë. Kjo figurë është e njohur si simbol i kryeqytetit të Kosovës, Prishtina, e madje si simbol i identitetit kulturor të Kosovës. Hyjnesha në Fron është vendosur të jetë simboli i Prishtinës, por edhe i identitetit të trashëgimisë kulturore për shkak të madhështisë së saj.

Prizreni

I cilësuar shpeshherë si kryeqyteti i shqiptarëve, i veçuar për shkak të arkitekturës dhe ndërtimit të tij, qyteti i Prizrenit padyshim që ka simbolet e veta të veçanta dhe me bazë historike.

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit është emblema e këtij qyteti, ndërsa në rreth ku figuronte edhe viti “1878-Prizren”, data kur edhe është mbajt Lidhja e Prizrenit, për shkak të pakënaqësive të komuniteteve që jetojnë në këtë qytet, është dashur të hiqet viti duke lënë vetëm emrin Prizren, por ende vazhdon të mbetet objekti se ku është mbajtur kjo Lidhje. “Shtëpia e Lidhjes paraqet vlerat etno-kulturore dhe të popullit tonë për liri e shtet kombëtar”, thanë për FaktePlus zyrtarë për informim të kësaj komune.

Mitrovica

Qyteti i xeheve, qyteti i lumenjve, qyteti i ngjyrave gjelbër e zi, s’kishte si tjetër veçse t’i bënte pjesë integruese të emblemës së saj këto karakteristika.

Stema – Kalaja e Mitrovicës, përfaqëson antikën e qytetit, prej kohës së ilirëve e deri tani, si vazhdimësi e pashkëputur e kulturës sonë. Simbolikën e zhvillimit ekonomik të qytetit afro një shekull e përfaqëson Xeherorja e Trepçës, si bazë e zhvillimit të qytetit dhe më gjerë. Kjo veprimtari përfaqësohet me ngjyrat gjelbër e zi, simbolikë e minatorëve. Kristali – Simbol Ilir, shkëlqim i rrezeve të diellit, që ngërthen në vete të shkuarën dhe synimin për të ardhmen e ndritur. Lumenjtë – Ibri, Sitnica, Lushta dhe Trepça,  janë lumenjtë e Mitrovicës, me një rëndësi të veçantë për shumë fusha, si energjetikë, bujqësi, infrastrukturë dhe rekreacion për qytetarët jo vetëm të Mitrovicës.

Peja

Qyteti i Pejës ka vendosur që simbolet e veta identifikuese të jenë bazë historike dhe elemente që karakterizohet  kjo zonë.

Simbolikisht emblema e ka kuptimin e traditës së Dukagjinit, E ato janë kullat e gurit, mandej ura e gurit dhe Lumi Lumbardhë. Këto janë tri simbolikat që i takojnë rrafshit të Dukagjinit dhe janë në stemën e qytetit të Pejës.

Ferizaj

Qyteti industrial më i zhvilluar në vend pas Prishtinës, është padyshim Ferizaj.

Lufta për çlirimin e atdheut dhe rënia e veçantë në fushëbetejë e heroit Mic Sokoli, mandej hekurudha, lumi janë disa nga karakteristikat e këtij qyteti, e të cilat janë përfshirë në emblemën e tij. Hekurudha e qytetit, Hani i Ferizit (Han ky i cili Ferizaj, është emëruar në bazë të këtij Hani), fenomeni i Bifurkacionit të Lumit Nerodime, si dhe Maja e Lubotenit, janë ato që e bëjnë të veçantë emblemën e Ferizajt.

Gjakova

Qyteti tjetër nga rrafshi i Dukagjinit, Gjakova konsiderohet me të drejtë si vend i kulturës dhe traditës.

Stema e Komunës së Gjakovës përmban këto elemente: kullat që janë dëshmi e historisë dhe fortesës shekullore, librin dhe çelësin muzikor që kanë domethënien e kulturës së pasur në arsim dhe muzikë, mandej lumenjtë të cilët e karakterizojnë komunën e Gjakovës, si dhe urat që kanë qenë ndërlidhëse për tregti.

Gjilani

Qyteti më i madh nga pjesa lindore është Gjilani. Ky qytet në shenjën dalluese të tij ka futur plisin dhe një ndërtesë të vjetër.

Emblema e Gjilanit paraqet Kullën e Sahatit, e cila supozohet se ka ekzistuar deri në vitin 1923 dhe ndërtesën e banimit kolektiv, e cila gjendet në qendër të qytetit i njohur si “Soliteri” e që ishte ndërtuar në periudhën e ish-Jugosllavisë. Por, në emblemë është futur edhe një plis i vogël.