A ju kujtohet kush ishte kryeshefi i parë i Komunës së Gjilanit?
Pikërisht më 22 dhjetor të vitit 2000, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, duke u bazuar në Rregulloren 2000/45 mbi vetëqeverisjen e komunave të Kosovës, nxori vendimin për emërimin e kryeshefit ekzekutiv, pozitë kjo që iu besua Enver Mujës.
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, paraprakisht kishte formuar një komision, i cili kishte për detyrë ta ndihmonte kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, në procedurën e emërimit të kryeshefit ekzekutiv.
Komisioni përbëhej nga Beqir Shaqiri, Xhelal Selmani, Musli Maloku, Fahri Nuhiu (tash i ndjerë), Sokol Haziri, Ramiz Selimi, Levent Gash, Bob Simons (zëvendës administrator ndërkombëtar).
Si ekonomist me përvojë, Muja ka kontribuar në organizimin e pushtetit paralel, gjatë kohës së okupimit, në veçanti në organizimin e Këshillit për Financim. Ishte njohës shumë i mirë i Financave.
Kurse pas luftës çlirimtare, për dy mandate e ka udhëhequr ekzekutivin e Komunës së Gjilanit.
Këtë detyrë, përkohësisht e kanë ushtruar më vonë edhe Zijadin Maliqi e Fadil Osmani.
Me ligjin e ri për qeverisjen lokale, Komunat nuk kanë më kryeshef ekzekutiv.
Enver Muja ka ndërruar jetë në tetor të vitit 2014./MediaFokus/

