Projekti i Çarshisë e dyfishoi vlerën pronave, thonë banorët

Avni Kastrati jeton vetë i teti afër lumit Mirusha, në pjesën e Dardanisë.

Në verën e vitit 2019 ka qenë hera e parë që bashkë me familjen e tij kanë pirë kafe dhe kanë darkuar në kopshtin e tij.

“Përpara as s’ke mujtë me dalë në bahqe me nejt. S’ke mujtë me qitë hapin me dalë kah reka prej erës së keqe. Tash e kemi vendos tavolinën n’bahqe dhe gjatë verës kemi ndejtë deri në orët e vona, bashkë me familje”, thotë Kastrati për portalin Mediafokus.info.

Komuna e Gjilanit e ka përfunduar pjesën e parë të mbulimit të shtratit të lumit në pjesën e Dardanisë dhe kjo është pritur me gëzim të madh nga banorët në pjesën mbi furrën “Aroma”.

Një banor tjetër, Ismet Shkodra, e bënë krahasimin me të kaluaren, por flet edhe për aspektin tjetër të rritjes së vlerave të pronave.

“Ka pasë erë të shumë të rëndë. Kah je sjell, ke pa bërllog. Jeta ka qenë shumë e rëndë për neve që kemi jetu këtu. Veç këta betonat që janë vendos, u ba shumë mirë. S’ka më erë kanalizimi. Shtëpitë tona janë ba ma të vlefshme për dyfish”, ka thënë Shkodra për MediaFokus.

Me këtë konstatim po pajtohet edhe Avni Kastrati.

“Edhe unë besoj që shtëpive i ka hypë vlera për dyfish”.

Këto ditë, Komuna e Gjilanit ka nisur edhe fazën e fundit të ndërtimit të Çarshisë së Gjilanit, ku përfshihet shtetitorja, gjelbërimi, ulëset e ndriçimi.

“Do të bëhet një shetitore e mirë, por në zonën e banuar, do të inkurajohet biznesi familjar. Jam i lumtur që po bëhet një vend i mirë rekreacioni për familjet, fëmijtë, të rinjtë e pleqtë e Gjilanit”, ka deklaruar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës së punimeve atje.

Drejtuesit e Komunës kanë thënë se qëllimi është që të minimizohet qarkullimi me vetura.

Edhe në këtë aspekt, Avni Kastrati, ka diçka për të thënë.

“Për dhjetë minuta tash po mbërrijmë te hoteli Kristal”, ka thënë ai.

Çarshia e Gjilanit ka gjatësi prej tre kilometra. Fillon nga Livadhet e Malishevës dhe përfundon tek qarkore në lagjen Dardania./MediaFokus/