A ka të drejtë Vjosa Osmani të shkarkojë Valdete Dakën?
Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka folur rreth deklaratave të fundit të Vjosa Osmanit, ushtruese e detyrës së presidentit. Osmani, nëpërmjet një video-adresimi tha se po abuzohet me KQZ’në dhe se një gjë të tillë nuk do ta lejojë të vazhdojë më tutje.
Komentet e Osmanit erdhën pasi KQZ nuk certifikoi disa parti politike, përkatësisht lista të deputetëve përfshirë atë të VV’së në të cilën Osmani garon për deputete.
Por a ka të drejtë Osmani të shkarkojë Valdete Dakën, nga pozita e të parës së KQZ’së?
Ja çfarë thotë Baraliu.
“Çështjen e kompetencave të ushtruesit të detyrës së presidentit, Gjykata Kushtetuese në një vendim të saj e ka caktuar çka mundet dhe çka s’mundet. Aty janë të qarta por parimisht, në fakt çdo gjë që nuk është paraparë në atë vendim, i cili e zëvendëson Kushtetutën, nuk mund të bëhet, nga ushtruesi i detyrës për arsye se thjesht nuk janë paraparë detyrat me Kushtetutën e tanishme taksativisht detyrat se çka duhet të bëjë ushtruesi i detyrës përveçse afatit gjashtë mujor të zëvendësimit. Nuk është e qartë, nuk është përpunuar sa duhet kjo çështje në Kushtetutë’, theksoi Baraliu për T7.
Pas një mbledhjeje maratonike me shumë debate dhe tensione, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i certifikoi listat zgjedhore me emrat për deputetë të subjekteve politike, Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.
Kjo për faktin që në listat e këtyre partive politike figuronin akoma emra që kanë probleme me ligjin, apo janë të dënuar me formë të shkallës së prerë në tri vitet e fundit.