A po e kopjon Vjosa Osmani sloganin e PDK-së?

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, e ka publikuar mbrëmë në llogarinë e saj në Facebook një status me një imazh ku shkruan “GUXO!”.

Ky mund të jetë slogani i iniciativës së saj për të garuar në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen së shpejti,

“Të guxosh është rezistencë kundrejt një situate kur pashpresa dominon optimizmin, kur frika krijon hapësirë, kur reagimi merr fund”.

“Vjen një moment dhe një kohë kur nevoja për transformim kërkon veprim. Andaj GUXO! Guximi për sot është ndryshimi për nesër!”.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, ajo i hyri garës për kryeministre nën ombrellën e Lidhjes Demokratike të Kosovës me sloganin “BESO!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Mirëpo pas publikimit të sloganit të ri, ka reaguar anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i cili e ka akuzuar Vjosa Osmanin se po i kopjon sloganet e PDK-së.

“VJOSA E NISI VITIN E RI 2021 DUKE NA VJEDHUR SLLOGANIN E 2004

Nuk e prita që ditën e parë të vitit të ri të merrem me reagime politike. Por, ja që Vjosa Raif Osmani nuk të lë pa komentuar.

Çdo ditë rrinë duke na sharë dhe në fund të fundit nuk arrijnë të nxjerrin as edhe një slogan të vetëm dhe origjinal.

Në vitin 2019 LDK-ja na e mori sloganin tonë të 2004-tës. Me 1 janar 2021 Vjosa e vazhdoi traditën e ish-partisë.

Kjo tregon se qysh PDK-ja i ka fjalët që u qëndrojnë viteve”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.