A po rrezikon Kurti arrestimin për shkak të mos paraqitjes në prokurori për intervistim?

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërfillur urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale, për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rezervat shtetërore. Ky veprim i Kurtit, ka ngritur shqetësime të shumta për respektimin e autoritetit të institucioneve të drejtësisë në vend.

Përkundër këtij urdhri, kryeministri Kurti vazhdon të insistojë që intervistimi të realizohet në zyrën e tij, në kryeministri, dhe jo në ambientet e Prokurorisë. Ai e arsyeton këtë qëndrim duke thënë se Prokuroria ka për qëllim luftimin e Qeverisë, dhe jo të korrupsionit.

Njohësit e sistemit të drejtësisë kanë shprehur shqetësim për veprimet e kryeministrit, duke i cilësuar ato si një shembull të keq për respektimin e rendit ligjor në vend.
Ata theksojnë se ky veprim mund të ndikojë negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.

Vullnet Bugaqku nga KDI ka thënë për Telegrafin se ata kanë kërkuar më herët nga Kryeministri Kurti që të përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë Speciale.

Ai ka bërë të ditur se veprimi i kryeministrit Kurti minon sundimin e ligjit.

“Ne kemi vlerësuar që një veprim i tillë e minon sundimin e ligjit në Kosovë dhe mbi të gjitha e cenon rëndë parimin e barazisë para ligjit, pra që është një parim kushtetues, ligjor dhe që vlen për të gjithë, pavarësisht pozitës dhe funksionit. Prandaj, ne kemi vlerësuar dhe vlerësojmë që mosrespektimi i institucioneve të tilla i japin njollë të keqe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Dhe kjo mund të nxisë në të ardhmen të themi ashtu sjellje injoruese ose sjellje të ngjashme edhe nga ana e qytetarëve, të cilët me të drejtë mund të theksojnë faktin që meqenëse i pari shtetit, në rasti i parë i Qeverisë nuk i përgjigjet ftesës së institucioneve të drejtësisë, atëherë e pse edhe ne shkojmë edhe t’i përgjigjem”, theksoi ai.