Infektologu kosovar Sali Ahmeti ka folur për variantin britanik, që tashmë ka arritur te ne si dhe rrezikun nga varinati indian, që ka prekur shumë vende të botës.

“Gjendja aktuale në nivel vendi është më e qetë. Aktualisht në Klinikën Infektive kemi të spitalizuar 86 pacientë dhe numri i rasteve të reja të cilat kërkojnë spitalizim ka rënë dukshëm në javën e fundit”, ka thënë Ahmeti, përcjellë Telegrafi.

Ahmeti thotë se varianti britanik që preku në muajt e fundit edhe kosovarët, ka treguar se është virus që përhapet më shpejt, sidomos te moshat 30-50 vjeç.

Sipas tij, gjendja e pacientëve të infektuar me variantin britanik ka qenë e rëndë dhe ka pasuar përkeqësime të shpejta, që kanë kërkuar edhe trajtim intensiv.

Meqenëse tashmë bota është duke u goditur edhe nga një variant i ri i COVID-19, i cili po njihet si varianti indian, infektologu Ahmeti thotë se shumë shpejt edhe Kosova mund të preket nga ky lloj virusi.

“Në aspektin epidemiologjik sot bota është zvogëluar dukshëm, kështu që ne nuk mund të eliminojmë rrezikun që ky variant të jetë së shpejti edhe në mesin tonë”, thekson infektologu Ahmeti.

Ai thotë se rënia e të të infekturave në ditët e fundit nuk duhet të shërbejë si moment relaksimi, pasi që ende jemi në luftë me pandeminë dhe zbutja e masave duhet të bëhet në mënyrë graduale, në të kundërtën mund të kemi shtim të rasteve të reja.

Në Kosovë, numri i rasteve aktive është mbi 9.200, të shëruar janë mbi 93,500, kurse betejën me virusin e kanë humbur mbi 2.100 qytetarë.