A thua a ka edhe shëndetësia emën, si liria si hajnia!?

Nga: Çun Lajçi

Dojsha me iu thanë në Natën e Kadrit, e kolli ma harxhoi oksigjenin, por sonte, në natën e bajramit po ngutem e po iu them:

Mos u habitni mbas bukurisë, se ajo ikë si drita! Hija e saj mbetët mbrapa e n’hijën e saj zgurdullohemi tue pritë.

Drita e pushteti, janë si nata e dita! Njena t’zbardhë, e t’jetra, po u habite t’errë! Nga të dyat duhet ruejtë sytë!

Mos u bani pritarë t’përjetshëm për t’pa arritshmën! Kënaquni me pikat e djersës n’gropën e fytit!

Bukuria e rrobat e bukura, janë dorë e huej, deshta me iu thanë

Njejtë, si pushteti e lakuriqësia!

T’parën e qëndisë perendia sipas shijës së vet, e të dytën dorë njeriut sipas fytyrës që e kemi!

E njeriu si njeriu, syçkuem e tërpian gjithmonë. As i lumtun as i gëzuem e çaraveshan mbas t’bukurës që s’ka t’sosun e lypës mbas vezullimit që t’përcëllon kur t’bjen

n’xhep!

Mos u habitni deshta me iu thanë si këta me kollare e faculeta n’xhepin e vogël t’setrës, ku burrat që ishin burra e fusnin sahatin e çostekut, me mat kohën e me mbajtë fjalën!

Këta, faculetat i kanë me i fshi qyrrat kur rrejnë, e kur rrypi s’ua mban ma pantallonat. Faj s’u ka tërzia nëse u binë poshtë e u dalin brekët n’foltore, se harrojnë çka duen e çka patën me thanë!

Unë s’pres nga t’pushtetshmit me m’kallxua si do t’bahet, se jam i vjetër, po çka po bahet, e të gëzohem si fëmiu, ashtu siç u gëzova sot, kur kuzhinjerja mi pruni tri copë bukë me marmelladë, e çaj te djegun me sheqer! Oh seç m’ktheu n’Drelaj, kur Amerika na mbante me tamel pluhun e marmelladë refuz!

Thashë, taman po ambëlcohemi për natë t’bajramit!

Ndëgjo i thashë ti kuzhinjere: Të burgosunve e të smurve, mos iu thuej a doni! Njisoj si deputetëve n’zgjedhje që t’thonë na i jep votat, jo a po na i jepni!

Dhe qeshi e prap nji tas çaj për hatër ma mbushi!

Dera mbeti çelë, e përballë meje nji derë e vogël u hap! Ç’me pa, tri infermiere hanin bukë në nji kthinë, kapun me tualet, e muret e tualeti me …!

Oh sa shpejt m’ikën kujtimet e bukura për marmelladën e tamlin pluhun! U ktheva n’shekullin e Zemës, Uranit, Vitisë, Albinit, Ramushit, Hashimit. T’Isës po se po, e s’mujta pa u kollitë: A thua a ka edhe shendetësia emën, apo vetëm liria e hajnia e tradhëtia?

Pulmologji, 12.05.2021