A u suspendua Ridvan Berisha nga puna? Flet Drejtori i RTK-së

Në një reagim në profilin e tij në Facebook, gazetari Ridvan Berisha, ka thënë se është suspenduar nga puna. Ai ka thënë se nuk do të jetë në ekran derisa komisini disiplinor ta trajtojë çështjen e tij.

Në këtë postim Berisha ka akuzuar drejtorin e RTK-së, Ngadhnjim Kastrati dhe dy kolegët e tij Xhymret Veliu e Festim Kabashi, që sipas tij punën për të ia kanë kryer Albin Kurtit. Të njëjtit i ka quajtuar oportunë e konformistë.

Lidhur me akuzat e tij, Gazeta Express ka marrë një prononcim nga Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Kastrati mohoi se Berisha është suspenduar nga puna, mirëpo sipas tij, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të gazetarit Berisha, është iniciuar procedurë disiplinore.

“Nuk eshte e vertete qe Ridvan Berisha eshte suspendu nga puna. Per shkak te shkeljeve te tij te vazhdueshme te rregulloreve te brendshme te RTK-se, eshte inicuar procedure disiplinore, por ende nuk ka as nje vendim. Pra deri ne vendimin e komisionit Disiplinor, Z Berisha nuk do te drejtoje emisionin e RTK-se Debat, por nuk eshte suspenduar nga puna”, tha Kastrati për Gazetën Express.

Para pak ditësh, Ridvan Berisha e kishte mbyllur edicionin e emisionit e tij “Debat” të martën, me një mesazh drejtuar Albin Kurtit, kryeministrit të ri të Kosovës. Berisha deklaroi se nuk do ta thërras shefin e ri të qeverisë për ta intervistuar në emisionin e tij.

“Nesër nuk do të shihemi nga kjo studio, e as pasnesër. Në fakt, jo pse kështu ka vendosur menaxhmenti im, por sepse nesër dhe pasnesër kemi futboll. Ndoshta vendos ekipi i Kurtit, por unë nuk e thërras z. Kurti që të jetë në këtë studio sepse ftesa mund të jap leksionin edhe të oportunizmit, e ekipi i tij e di fare mirë këtë punë. Po deshën të më njoftojnë e dinë numrin tim, unë i pres në studio”, ka thënë Berisha.