AAK-ja ia mësyn ta rrëzojë Qeverinë Kurti
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qëndrimi i partisë që e drejton është të ngrihet mocion mosbesimi për kryeministrin Albin Kurti.
Në një konferencë të mbajtur të mërkurën pasdite, Haradinaj ka thënë se ky mocion i mosbesimit ka dy qëllime që lidhen me situatën e fundit të krijuar në veri të vendit.
“I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, deri te sanksionet e SHBA-së ndaj Kosovës. Do të filloj konsultimet me spektrin politik në përgjithësi dhe besojmë se mocioni është zgjidhja në këtë situatë”, ka thënë ai.
Haradinaj e ka fajësuar Kurtin për rrezikim të sigurisë së vendit dhe sovranitetit në veri, duke thënë se po nxitë konflikt në këtë zonë, duke iu përshtatur interesave të Rusisë.
“Do të angazhohemi që ta sqarojmë para qytetarëve se Kurti është përgjegjës për rrezikimin e sigurisë së vendit dhe sovranitetin në veri. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunojë me SHBA-në në planin e tyre të integrimit, ka vazhduar me plan të vetin për të nxitur konflikt, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën, duke vazhduar ta nxisë një konflikt në veri që është në interes të Putinit dhe Rusisë. Ajo që po ashtu e bën këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave Blinkenit me atë fjalor. Kurti ka shkuar në ekstrem me një komunikim fyes për aleati tonë kryesor të sigurisë, pa të cilin edhe sot gjendja në veri është e keqe”, ka thënë ai.

