Nga 5-12 prill të gjitha shkollat shkojnë në pushim pranveror

Nga e hëna, 5 prill, arsimi parauniversitar do të shkojë në pushim pranveror për një javë, për të vazhduar më 12 prill.

Gjatë kësaj jave të pushimit do të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore si dhe do të vlerësohet situata epidemiologjike në nivel vendi.

Këto i ka bërë të ditura përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e sotëm që është mbajtur me ministren e Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.

Ai tha se tashme është vendosur që java e ardhshme të jetë pushim për shkollat dhe një gjë të tillë, sipas tij e ka rekomanduar edhe përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Gjatë pushimit një javor do të punohet në dezinfektimin e objekteve dhe pas pushimit mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike në shkolla dhe jo online.

Në këtë takim është diskutuar edhe çështja e zëvendësimit të ditëve të humbura mësimore dhe eshte propozuar që ky zëvendësim të bëhet ditëve të shtune.