Abazoviq, njëherë u qujat ‘shpëtimtar’ tani thirret ‘shiptar’
Mbështetësit e dy koalicioneve, të Frontit Demokratik dhe Demokratëve, po protestojnë kundër formimit të qeverisë së pakicës, të paralajmëruar nga URA në krye me Dritan Aboziqin, raporton malesia.org
Në protestën para Televizionit Publik të Malit të Zi u dëgjuan thirrje kundër Zv/Kryeministrit Dritan Abazoviq, i cili ishte i ftuar në një emision të këtij televizioni dhe për disa momente u takua me protestuesit.
Protestuesit e quajtën zotin Abazoviq “tradhtar” dhe “të shitur” duke theksuar se “propozimi i URA-së të Dritan Abazoviqit për formimin e qeverisë së pakicës është një përmbysje e drejtpërdrejtë e vullnetit elektoral”.
Përpos thirrjeve të tilla, nga protestuesit u dëgjuan edhe fyerje ndaj shqiptarëve, siç është shprehja “Šiptar“ (Shiptar).
Të hënën në Podgoricë Lëvizja Qytetare “URA” së bashku me Lidhjen Qytetare “Civis” propozuan modelin e një qeverisjeje të pakicës.
Sipas kreut të Lëvizjes Qytetare URA, i cili është njëkohësisht edhe Zv/Kryeministër në këtë qeveri Dritan Abazoviq, nuk do të kishte vend për Frontin Demokratik që cilësohet parti proserbe dhe proruse por as për DPS-në e presidentit aktual Milo Djukanovic, e cila ishte më shumë se 3 dekada në pushtet në Malin e Zi.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte koalicioni i URA-së së Dritan Abazoviqit ai i cili iu bashkua dy koalicioneve tjera më të mëdha, Frontit Demokratik dhe Demokratëve, me çka u dërgua në opozitë DPS-ja e Djukanovic-it pas 30 vjet në pushtet. Atëherë Abazoviqi u quajt hero e shpëtimtar, ndërsa tash tradhtarë e “Šiptar“.

