Abdixhiku: Kosovës i duhet një “SPAK”

Kreu i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të aferave korruptive të anëtarëve të kabinetit të Qeverisë Kurti.

Ai kritikoi mënyrën se si pushteti aktual, sipas tij, ka favorizuar rrethin e ngushtë familjar në shpërndarjen e parave publike.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosovës i duhet një “SPAK”.
“Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët — por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavateve”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.

Tutje ai ka thënë “Fat familjarëve”.

“Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Pushteti aktual që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje është akuzuar se ka dhënë subvencione e grante me të njohur.

Në një konferencë për media sot, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tek e ka kundërshtuar vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë nga 1 qershori, kanë thënë se “njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi” e që tash udhëhiqet nga vëllai i tij.