Adil dhe Arife Uruqi – Pleqtë e qëndresës dhe dhimbjes në emër të lirisë
Sabedin Sherifi
Në historinë e lavdishme, por të përgjakur të Kosovës, vitet e fundit të shekullit XX mbajnë plagët më të mëdha dhe kujtimet më të dhimbshme.
Në mesin e shumë sakrificave që përjetoi populli ynë në luftën për çlirim, qëndron edhe rrëfimi i dhembshëm i Adil dhe Arife Uruqit – dy pleq nga fshati Bresalc, që u bënë simbol i mizorisë serbe dhe i durimit shqiptar.
Adili dhe Arifja ishin njerëz të thjeshtë, me jetën e tyre të qetë bujqësore dhe familjare.
Por ajo që i bënte të veçantë, ishte përkushtimi ndaj atdheut dhe krenaria për djalin e tyre që luftonte në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata nuk mbartnin armë, por mbështesnin pa zë luftën për liri. Shtëpia e tyre, si shumë të tjera në atë kohë, ishte e hapur për luftëtarët, e gatshme për çdo sakrificë.
Në Prillin e vitit 1999, kur agresioni serb shtohej përditë, ata u detyruan të largoheshin nga shtëpia.
Gjetën strehë në bjeshkët e Zhegocit, në fshatin Vrellë, me shpresën se do t’i shpëtonin terrorit. Por as aty nuk i kurseu dorë e krimit.
U zbuluan nga forcat serbe, u vranë dhe trupat e tyre u dogjën – një akt barbar, që dëshmon urrejtjen që kishte pushtuesi ndaj çdo gjallese shqiptare.
Vrasja e tyre ishte një plagë e thellë për familjen, për fshatin Bresalc, por edhe për gjithë kombin.
Ata nuk ishin thjesht pleq të pafajshëm, ishin prindër të një luftëtari lirie, që kishin rritur një bir që luftonte për çlirimin e popullit të vet. Dhe vetëm për këtë, ranë dëshmorë të heshtur.
Adili dhe Arifja sot prehen në përjetësi si simbol i qëndresës pa armë, i qëndresës me shpirt, me nder e krenari.
Ata janë kujtim i gjallë se lufta për liri nuk u bë vetëm nga pushka, por edhe nga prindërit që sakrifikuan gjithçka, edhe vetë jetën, për ta parë Kosovën të lirë.
Kujtimi i tyre do të jetojë brez pas brezi.


 
 
						 
						