“Me pasë mujtë edhe ni herë m’i kthy vjet e rinisë kisha ditë shka me ba”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata; se e mban mend fshatin me 25 shtëpi që tash numëron 85 sosh… apo se e mban mend ”kohën e turkit”, “… t’kralit”, ” … t’bugarit”, “të ‘talianit” apo “kohën e Rankoviqit” e “kohën e komunistit”, po edhe vlimet e tjera brenda kësaj periudhe si “të 68-tën”, “81-shin” e për të 90-tat dhe luftën e fundit të Kosovës për çlirim, lufta e fundit e shkive, siç shprehen ata vetë…
Mane Qerimi (16.10.1917) e lindur në Dunav, është njëra nga këto personazhe që kanë shkelur shekullin.
Ajo jeton në Zhegër me familjen e saj, e cila përkujdeset në mënyrë të admirueshme për të.
Lokja Mane e ka gjendjen shëndetësore mjaft të qëndrueshme, ndërsa nganjëherë kujtesa e tradhton, por përkundër moshës ishte shumë mirë.
Tregimin e saj e fillon: “O bir veç me gjâ (kafshë) shka kam hekë boll, gjitha llojet e gjave i kemi pasë, ma s’shumti hekshum me dhitë kur i diktojshin lenat që u pjekshin s’kishke kush m’i nalë. I kemi pasë krejt llojet e dhive, po ma së shumti kemi pasë do që janë kanë kuq e bardh. Tamlin e tana gjave e perzishmi edhe e tunshin gratë edhe kur e marojke nana taze djathin û kanë ma i miri. Edhe pemtë janë kanë ndryshe, ka pasë shum, tash as pemtë nuk po bojnë ma, na s’kishum ku me shkelë n’tokë pi pemve ”.
Në pytjen time për jetëgjatësinë e saj më tha; “Edhe baba Qerim ka jetue 100 vjet, û kanë burrë trim, û kanë burrë për shtatë nahi. Baba Qerim edhe mixha Zahir me do burra i kanë pasë ndreqë edhe kishën edhe xhamijën, bile si sod um rrinë para syve: i kanë pasë rrehë do kantunarë se nuk i lashin m’e marue kishën. I kem pasë kushtet e mira, baba Qerim goditke rrogëtar për m’i rujtë loptë. Jena kanë shum fmi: pesë motra e katër vllazni. Me katune përskej e kemi çue mirë s’kemi pasë kurrë probleme ”.
Kur e pyeta për rininë e saj e për martesën, më tha: “E majë men si sod kur kan ardhë me m’marrë me kerr, û kanë i mlumë me dy qershafa të bardhë anash edhe n’mes ni qylym të kuq, kurrë s’e harroj. Um vike marre, at’hërë u kanë ndryshe, na ka ardhë marre; sod ktyne t’rejave nuk jav nin hiç, s’kanë marre hiç. Na kena kajtë përnime lot; na kanë shkue si vadë, sod le që s’kajnë, po shkojnë tu knue bile. Me burrin kam pasë rahati, e kam pasë jetën e mirë, plaki û kanë shum i sertë, hekrin e shkurtojke, veç edhe unë i kam dalë hakesh. Edhe me vjehrrin kam kalue shum mirë se ata janë kanë në vên të prindve, qashtu i kem nerue na atherë. Pazaret i kemi ba përpara në Kumanovë e kemi pasë si ma ngat nav doke”.
Emërtimet e gjitha vendeve i mban mend shumë mirë: “Çdo plomë toke ka kum hec e di sot; m’e dalë i di kejt venet ka jam kanë”.
Gjatë bisedës si porosi ajo më tha:
“Dashnija përpara u kanë e msheftë, mu kurrë burri s’um ka thirrë n’emën, sot po get po duhni ma shumë”.
Dhe në fund shtoi: “Njeri si po u plaka, nuk po dika as me folë, as me hangër, as me nejtë mirë, as kurgja. Me pasë mujtë edhe ni herë m’i kthy vjet e rinisë kisha ditë shka me ba”, përfundoi lokja Mane. (Zhegër, 5 janar 2018) /Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.