‘Aeroplani i Ditës së Kijametit’ nis një mision stërvitor

“Aeroplani i Ditës së Kijametit” rezistent ndaj armëve bërthamore i Amerikës u vu re duke bërë mision stërvitor mbi Nebraskë dhe Chicago

Ky avion është një seli komanduese fluturuese në rast lufte bërthamore.

Aeroplani i Fundit – një Boeing 747 i modifikuar i quajtur Boeing E-4B – u ngrit nga një bazë e Forcave Ajrore të SHBA në Nebraska, më pas vazhdoi një fluturim 4.5 orësh drejt Çikagos dhe u kthye mbrapa përsëri, ka raportuar faqja britanike e lajmeve iNews.

Gjatë këtij fluturimi, aeroplani thuhet se u shoqërua nga disa avionë paralajmërues të hershëm të përdorur për të gjurmuar raketat balistike.

E-4B është pjesë e një flote të të ashtuquajturave aeroplan Nightwatch-vëzhgues të natës, që gjenden në ushtrinë amerikane që nga vitet 1970.

Qëllimi i aeroplanit është të shërbejë si një seli komanduese e lëvizshme për personelin e lartë ushtarak në rast të një lufte bërthamore, ka shkruar më herët Live Science.

Avioni përmban disa veçori sigurie që nuk do t’i shihni në një komercial 747.

Për një aeroplan që kushton 200 milionë dollarë, është i pajisur me pajisje analoge të vjetra, në vend të pajisjeve moderne dixhitale, me qëllim që të vazhdojë të funksionojë edhe kur ekspozohet ndaj pulsit elektromagnetik nga një shpërthim bërthamor.

Aeroplani i cili është pothuajse tërësisht pa dritare, është gjithashtu i pajisur me mbrojtje speciale për të mbrojtur pasagjerët dhe ekuipazhin nga efektet termike të një lufte bërthamore.

Një pjesë e veçantë në majë të aeroplanit, e njohur si “radome”, strehon më shumë se 65 pjata satelitore dhe antena, duke lejuar E-4B të komunikojë me anije, nëndetëse, avionë dhe linja fikse kudo në botë, sipas CNBC.

Shumë nga karakteristikat e tjera të avionit mbeten të klasifikuara.

Të paktën një E-4B është gati në çdo kohë, raportoi iNews.

Nuk është e qartë nëse misioni i së hënës ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj deklaratave agresive të Putinit që përmendi forcat raketore bërthamore të Rusisë, apo ka informata më shumë.

Qeveria amerikane tha të hënën se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Amerikës dhe presidenti Joe Biden theksoi në një konferencë shtypi se amerikanët nuk kishin asnjë arsye të frikësoheshin nga një luftë bërthamore me Rusinë, sipas iNews.