Kejt shka patëm t’gjallë, na i hupi n’komor
Hasan Bunjaku
(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, ngjarja para rrëfimeve të botuara më herët, e shkruar në fund të vitit 2021)
…. Demiri i Rrahman Demës, ndonëse nga Desivojca, e që Ngillanin po e dinte n’gishta, i ra shkurt, që nga Dere Mahalla, Kah Hani i Usta Hasanit, kah Hotel Evropa, e te Ura e Maskatarit. Ashtu qysh ishte thellue në do mendime, dikush e ndali për krahi:
– Çka je hapareshë kshtu, si me e pas “shlirue” Gillanin, e nuk po e sheh kanin, e për ku ia ke msy me kaq axhele !? – ishte Usta Hasani, qi Babgjyshi njihej me te për sa e sa vjet, sepse rregullisht te ai i “mathte” kualtë, e besa ere kijet, e bile shpesh, kur ishte diçka për ngutë edhe te ai e lente kalin deri sa të kthehej.
– Njeri po paka me men e jo me sy, o Usta, po allahile, qysh t’kam e qysh i kije puntë?! A po ka punë hiç me nallbanhane e me Han, e?
– Bereqatversën, nuk muj me u ankue. Veç, (iu afrua edhe më afër dhe e uli zërin), badihave, s’rrnohet ktu me kta shkije, qi po na binë n’qafë birgajri hak, e qi nuk jau mushe bythën me lira (ryshfet), tybe s’t’lanë as me punue e as me metë gjallë e as me i ba dy grosh bashk! – iu ankue, aty për aty, Ustai Babgjyshit se e njifke qi me to munet me folë pa “teklif”!
– Mo, bre, a bash çashtu, a?! Paj, ere te na nuk po durohen xhanartë e kralit, po s’po kemi sa shka me bo, e kanë hyçmin e tyne, e…!
– Valla, unë për veti, moti e baj menjen me ik n’Turkije, e kur asht kysmet, s’e di… Po ti, allahile, n’e njofsh dikon qi munet me i “ra” n’pazar shpijave, nallbanhanës e Hanit, çoma se vallahi boll n’hesap e kanë kush ta kenë kysmet…!
– Bash e paske sosë me “nja”, a? – e pyeti Babgjyshi.
– Po, Demir-dosti, n’e pastë ba jazi edhe Zoti, Atij i kofshim falë!
– Po more, po n’koftë dikush iftijaç për me “ra” n’shehër, beli nuk e la pa jau livdue gjithë këtë ven qi e kie n’mjedis t’shehrit, o Usta Hasani!
– Nuk ta kisha harrue kurrë kit t’mirë, o dost, po ti për ku kshtu!
– Teri te K., e kam ni motër e thash t’shkoj pak e ti shoh…
– Cillin pej K. e paske dhanër, se ata janë koxha kallabllak?!
– I. e kam, veç….!
– Auhhhh…! – s’u përmbajt në moment, Usta Hasani, e për me e ndreq pak gabimin, tha. – K. janë koxha trima e ner ta ka edhe burra t’mirë…!
– Po, po, ka ere burra t’mirë…! – nuk deshti të “çelet” para Ustahit, ani që edhe ai po e njifke boll mirë dhanrrin e tij.
Pasi u përshëndetën, e sa ke tue u nisë Babgjyshi, Ustai i thirri:
– Kthev edhe kah unë pak kur t’vish kah Rukoctë, e e pimë ka ni kafe, se ti je teraçi i madh i saj!
– Për t’mirë, o Usta! – ia kthei Babgjyshi, i cili, për së shkurti Dyqaneve t’zanatlive mas Xhamisë Madhe, kah Saraji, Shpija e Okllapëve, Xhamia Atik, udhës për Karadak Mahallë e në Sokakin e ngushtë të K. – ishte drejtue kah mesa e tij e dytë.
Diku në mjedis të sokakut me lakadredha, nga një grup i fëmijëve që po luanin, njëri syresh u nda dhe iu afrua, dhe e përqafoi Babxhyshin, që u gjet ngusht, meqë nuk po e dinte se kush ishte, ndonëse ia mori mendja që mund të jetë ndonjëri nga ata të K.
– Po, cilli ke ti o bir, se jam plakë e s’un po maj men shumë? – e pyeti.
– Jam J, i biri i I. K., o dajë…! – iu përgjigj fëmija.
– Oh. Lum daja për ty, po sa koke rritë, more..!? Kush asht kah Shpija? – e pyeti Babgjyshi.
– Nanën, ere Agin-M. e Agin-H. i kam lanë kur kam dalë, o dajë, e…
– E kta t’A., a janë asajde, athue?
– Po po aty janë, o dajë!
– Ani dajës. Luj ti me shokë se unë atje jam nisë…! – i tha nipçes së vogël… dhe vazhdoi, se në fund, ku mshilej sokaku i kishin shpijat krejt K.
E çeli derën e dhanrit e thirri:
– O i Zoti i Shpisë! – ndërkaq nga një derë që u hap, doli e motra, mbuluar kokën me ni pshtjellak, e kur e vërejti Babxhyshin, e hoqi nga koka atë “mbulesë”, dhe sa s’klithi:
– O, hajde bujrum o vlla, e mirë se t’paska pru Zoti, se mue, po m’doket qi m’ka harrue ere Zoti, ere “robi”, e kaq rrallë po m’vini! – dhe me vrap iu gjuajt në përqafim të vllait e motra! – e e përcolli mbrenda.
– Po, allahile, qysh jeni, o vlla e qysh i kije Zenelin, Ramën e Ramizin, e Nana a mun po mahet hala? Po rejat e motrat tjera a po ju vinë najherë e qysh janë? – po e mbante për duarsh Babgjyshin.
– Mirë jemi me ka krejt ka dashtë Zoti, oj motër, po ju qysh jeni knej?
– Paj mirë me thanë, se vallah, boll zilam… – i ndërroi qehrja asaj.
– Po kah e paskmi dhanrin, oj motër? – e pyeti sa për të thënë diçka Babgjyshi.
– Se mos e di un, o vlla? Del dikah e hup, e kanihere me ditë nuk doket ksajde, e ere kur vjen, vjen vet i katërdheti, e ven e pa ven m’turret mue, pa i pasë kurrëfarë faji. Kejt çka patëm t’gjalltë, na i hupi n’komor, bile me dukat temin, e, ni ditë bile edhe ni parë dimija i kam pasë si nam, për me “dal najkun”, ere qato i mori e i paska lanë n’komor. Ohaaa!!! Bile, ni natë n’dimën, ka ardh n’shpi veç n’kmish e n’dane…Veç, mos vet për mue! Athue kush m’paska pasë nemë kaq ranë mue, me kit nafakë t’preme, o Zot! – plasi në vaj, e motra! – ni ditë kur ta len ere shpinë n’komor, e me më metë thmija n’sokak…!
– Ban gajret, oj motër, se qitash, s’kemi ma shka me ba. Sa ishe pa thmi, na vllaznitë i kemi pasë thanë babë Rrahmanit, me t’da, po baba si baba, si kryeqykë qi asht, nuk na la, e tashti ma t’u banë thmija, e ishalla djemtë nuk i gajnë babs vet, e del n’selamet, veç sabër sa t’mujsh me bo aman, motër, se sod ma kpute shpirtin!
– Pe di, o vlla, po desh plasa pa u “shpraz” diku, e ma t’ngatë se ty e vllaznive tjerë nuk kam…
– Hajt se ni Zot qi na ka falë, duron koxha, po nuk harron kurrë e ta çel noj derë kah e mara, ishalla, se gjith jemi kan t’drejtë e “Zotin s’e kemi gjujtë me gurë kurrë”. Po thminë qysh i kije? Qat t’voglin ta pashë n’sokak tuj lujtë. Mashallah, si molla ish!
– Mirë janë ka dashtë Zoti, o vlla, qi ere n’kit kjamet, dathën e deshën, e apet mirë janë.
– Po kta A., qysh janë e a janë ksajde?
– Tybe, aga-A. asht diku a n’shkini a n’Banat tuj punue qe gjithë verës, e m’doket qi as gruen nuk e ka aty.
Babgjyshi e shikoi sahatin e xhepit, e ju drejtue të motrës:
– Oj, bi, veç erdha me ju pa pak, se sod ere asht e xhuma, e m’duhet me e falë me noj Xhami, e izën…!
– Qyqja unë qysh s’mu gjet ni trohë kafe se e di qi ti pa to nuk munesh hiç, po…
– Hajt oj bi, mos u ngushto hiç për mue se kejt i kam bitis te Rukoct! Allah nimo! – bëri Babgjyshi e u çue, e teri te dera e përcolli e motra, ner lot qi s’un i nalke:
– Selam t’tanëve, me ren, bile ere arave, livadheve, maleve e krojeve t’Desivojcës, o vlla e u pafshim për të mirë ishalla!
– Amin , motër, e maju e mos u ligshto, se ni “sabër e ka ni selamet!” – u morrën ngrykë. E Babgjyshi, vetë i katërdheti, i “këputur” fare fuqie, kalamendas, u nis drejt Xhamisë Atik qi e kish ma ngat prej aty, e u nal ta falë Xhumanë!