Afrim Kqiku, njeriu që ka përjetësuar historinë e Gjilanit përmes shkrepjeve të objektivit

“Është knaqësi dhe nder i veçantë ta takojë  Afrim Kqiku, “qytetar nderi” i Komunës së Gjilanit”, ka shkruar nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli.

Takimet me të, të japin energji dhe forcë për t’u përballur me çdo të papritur. Është njeri i cili brenda vetes rrezaton ndritshmërinë e tij patriotike, intelektuale dhe shoqërore, në avancimin e përpjekjeve për ta pasqyruar realitetin e vendit dhe shoqërisë sonë.

Afrim Kqiku është një personalitet i cili në vete përmbanë një histori të tërë shkrepjesh e kujtimesh për qytetin tonë. Ai i jetoi dhe përjetoi dy epoka, epokën e paraluftës, ku në objektivin e tij, pasqyroi realitetin e tmerrshëm të një sistemi pushtues mbi shqiptarët, dhe, epokën e pasluftës, kur, syri i objektivit të tij, pasqyroi çdo moment e etapë të bashkërendimit të proceseve vendore për shtetndërtim.

Afrim Kqiku është kryepersonaliteti më i rëndësishëm i Komunës së Gjilanit, njeri i paepur për të krijuar një librari të tërë të momenteve e çasteve, përmes të cilit vërtetohet thënia se, “Fotografitë mund të arrijnë përjetësinë përmes çastit”.

Ky personalitet, do të mbahet mend ndër gjenerata, për shënjestrimin e momenteve më të rëndësishme të vendit tonë. Nuk ka asnjë event, mbledhi, organizim e mobilizim, pa qenë pikësynim referimi i objektivit të tij.

Afrimi, diku 15 vite para luftës, duke u përballur me rrezikun e tij dhe familjes, në bazë të kohës të cilës po gjendeshim, në mënyrë krejtësisht vullnetare, arriti që përmes besnikërisë së tij, ta shpërfaq çdo moment organizimi kombëtar, politik e sportiv, që ishte në favor të guximit e trimërisë së tij të pashoq, karshi mposhtjes së një sistemi udhëheqës e të vështirë në të cilën po ballafaqoheshim.

Ky njeri, brenda syve të tij, rrëzon përplot ndjenja gëzimi, krenarie e dhimbje, për ballafaqimin e drejtpërdrejtë të tij me çdo ngjarje.

Përmes këtij njeriu, gjendet dokumentimi i historisë dhe përpjekjeve të qytetarëve të Gjilanit, në kauzën e përbashkët për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ne, si qytetarë të Gjilanit, do të krenohemi dhe mburremi me njeriun, i cili i doli në ballë çdo lufte apo beteje për ta synuar shpërfaqjen e historisë së përjetimit të popullit shqiptar.

Faleminderit, Afrim Kqiku, krenaria e qytetit tonë!, përfundon Ismajli.