Afrin Shahini, gardian i portës së Dritës, ishte portierët më të mirë të qytetit të Gjilanit

Shkruan: Ismajl Veliu

Një tjetër emër i njohur dhe i respektuar i futbollit gjilanas është Afrim Shahini.

Karrierën futbollistike e nisi në fillim të viteve ’90 me klubin e zemrës, KF Drita, në pozitën e portierit.

Falë talentit, përkushtimit dhe disiplinës së lartë sportive, shumë shpejt u shndërrua në një nga portierët më të mirë të qytetit të Gjilanit.

Si gardian i portës së Dritës, Afrimi u dallua për refleksin, qetësinë, guximin dhe stilin e tij karakteristik.

Me pritjet vendimtare, sidomos në momentet më të vështira dhe në goditjet e penalltive, ai shpesh ishte heroi i ekipit, duke i siguruar Dritës fitore të rëndësishme dhe duke fituar respektin e bashkëlojtarëve dhe tifozëve.

Pas vitit 1999, edhe pse në disa periudha ishte në rolin e ndihmësit të portierëve, Afrim Shahini në shumë raste ishte edhe portieri standard i klubit, duke dhënë kontribut të madh në sukseset dhe fitoret e ekipit.

Përvoja, profesionalizmi dhe përkushtimi i tij e bënë një shembull të vërtetë për futbollistët e rinj.

Pas përfundimit të karrierës aktive, nga viti 2008 mori detyrën e trajnerit të portierëve të KF Dritës.

Me punën e tij të palodhshme dhe si pjesë e shtabit teknik, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në sukseset e klubit, i cili gjatë këtyre viteve u shpall disa herë kampion i Kosovës, fitoi trofe të rëndësishëm dhe përfaqësoi me dinjitet futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.

Besnikëria, profesionalizmi dhe dashuria e tij për ngjyrat bardhekaltër e bëjnë atë një nga figurat më të çmuara të futbollit gjilanas.

Me kontributin e tij të madh ndër vite, Afrim Shahini mbetet një nga emrat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e KF Dritës dhe të futbollit të Gjilanit.

Ai është shembull i përkushtimit, korrektësisë dhe besnikërisë ndaj klubit të zemrës.

Afrimit i urojmë shëndet, mbarësi dhe shumë suksese në jetë, me respekt dhe mirënjohje për gjithçka që ka dhënë dhe vazhdon ende për KF. Dritën dhe sportin gjilanas.