Aga Qazë kishte shumë dashuri për këtë vend – Kandidatja për deputete, Drenushë Maloku rikujton njeriun që Ibrahim Rugovën e kishte idol

Aga Qazë ka qenë një ndër idhtarët më të mëdhenj të Ibrahim Rugovës. Nuk ka pasur lajm, fjalim apo paraqitje të Dr. Rugovës që ai të mos e dëgjonte me vëmendje e ta komentonte me admirim për mençurinë dhe vizionin e tij.

Këto kujtime më kanë mbetur thellë në mendje që nga fëmijëria.

Sa shumë dashuri të pastër kishte për këtë vend, për lirinë dhe për shtetndërtimin.

Sot, kur po kandidoj për deputete, zemra më dhemb që nuk është këtu të më shohë.

Por ai shalli që e mbante gjithmonë në qafë, si simbol të respektit për Rugovën, sot më kujton Agën Qazë me të njëjtin fanatizëm, mall e respekt.

Unë jam gjenerata e tretë e kësaj lidhjeje shpirtërore e familjare me idealin Rugovist dhe më dhemb fakti që shumë nga ëndrrat që Aga Qazë kishte për këtë vend, ende kanë mbetur pezull.

E jo vetëm ato — por edhe ëndrrat që ne, të rinjtë, kemi thurur me shpresë për një të ardhme më të mirë, ndërkohë që vendi ynë, vitet e fundit, është zbrazur nga rinia, është lodhur nga padrejtësitë dhe është lënë pa drejtim.

Pikërisht për këtë arsye po kandidoj. Sepse besoj që këtij vendi i duhen njerëz që nuk dorëzohen përballë zhgënjimit, por ngrihen për ta ndryshuar realitetin.

Do të luftoj deri në fund, me gjithë forcën, zemrën dhe përkushtimin tim, që familjen time dhe Agën Qazë atje lart t’i bëj krenarë dhe, para qytetarëve të këtij vendi, të dal gjithmonë faqebardhë.