Agim Veliu, Abdixhikut: Je tepër i vogël t’ua mbyllësh derën gardianëve të vërtetë që ndërtuan LDK’në e madhe

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i ka reaguar kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut, për deklaratën e tij se do t’ua mbyll derën atyre që s’kanë më çka t’i japin kësaj partie, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Abdixhikut.

Sipas Veliut, Abdixhiku “ka hyrë nga dritarja në LDK”.

“Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet.

Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare”, ka shkruar Veliu.

Veliu ka thënë se Abdixhiku është “tepër i vogël” që t’ua mbyllë derën “gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK’në e madhe”.

“Lumirit, që tinëzisht hyri në LDK dhe luan rolin e gardianit me çelësa në dorë, i them se je tepër i vogël t’ua mbyllësh dyert gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK-në e madhe. LDK nuk është një lodër që për fatin e saj të vendosë një tinejxher politik.  Prandaj, do të dështojë edhe misioni yt që trenin e LDK-së ta shndërrosh në një vagon, të cilin synon t’ia bashkangjesësh lokomotivës së kuqe”, ka shkruar Veliu.