‘Agjenti i CIA-s’ përfundon në pranga, mbi të rëndojnë pesë vepra penale
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.G. për shkak të veprave penale – ‘Mashtrimi’, ‘Shantazh’, ‘Prezantimi i rremë si person zyrtar’, ‘Falsifikim i dokumentit’ dhe ‘Manipulimi i provave’.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.G. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.G. me datë 30.07.2021, në Hib Petrol në Prishtinë, i ka vënë në lajthim familjarët e të dëmtuarit B.R. i cili është i zhdukur, duke paraqitur fakte të rreme kinse për gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.
Ai ka kontaktuar përmes mesengerit vëllain e B.R., V., duke u prezantuar si agjent i CIA-s amerikane, është aranzhuar një takim në mes tyre ku është prezantuar me emrin Ardian O’Neil Bajraktari, duke ja prezantuar një ID kartelë të falsifikuar në shpejtësi, duke i thënë së është i gatshëm ta gjejë vëllain dhe ka kërkuar që komunikimi të bëhet përmes emalit Ardianoneilbajraktari@gmail.com dhe pas shkëmbimit të disa emaleve i dyshuari i ka thënë të dëmtuarit V.R. se ka komunikuar me autoritetet në Serbi dhe ka kuptuar se vëllai i tij i zhdukur gjendet në burgun e Nishit në Serbi.
Për ta nxjerrë vëllain e tij prej aty, fillimisht i nevojiten 3000 deri 4000 euro dhe me qëllim që ta bind V.R., i njëjti ja ka dërguar disa emaile në gjuhën serbe dhe angleze se kinse e ka konfirmuar nga zyrtarët e Serbisë ku këtë komunikim ia ka përcjell tani të dëmtuarit V.R. duke cekur se këtë komunikim e ka kthyer qeveria e Serbisë në emër të Milorad Petkoviq.
Më pas e kanë lënë të takohen më datë 02.08.2021, për t’i marrë paratë te Hib Petroli afër stacionit të autobusëve dhe aty është arritur të ndalohet dhe arrestohet nga Policia e Kosovës, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

