Aksident në Viti, një grua vdes, dy përfundojnë me lëndime
Një grua ka vdekur dhe dy të tjera kanë marrë lëndime trupore, si pasojë e një vetaksidenti të ndodhur në fshatin Sllatinë të Vitisë.
F.H., 68-vjeçare ka arritur pa shenja jete në spitalin e Gjilanit, ka konfirmuar drejtori Arsim Emini.
Emini ka thënë se të lënduarat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa njëra ka refuzuar hospitalizimin me arsyetimin se trajtimin do ta vazhdojë në Ferizaj. Tri gratë e aksidentuara janë nga komuna e Ferizajt.
Policia ka njoftuar se sot në fshatin Sllatinë e Ulët, komuna e Vitisë ka ndodhur një vetaksident trafiku me fatalitet. Një veturë në lëvizje e sipër ka humbur kontrollin dhe dyshohet se ka goditur një mur skaj rruge, me ç’rast tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar me urgjencë në qendrën emergjente të Gjilanit.
Edhe përkundër ndihmës së ofruar mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një gruaje 68-vjeçare që ndodhej në veturë, si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident.
“Drejtuesja e veturës, pas tretmanit mjekësor në spitalin e Gjilanit lirohet, por me urdhër të prokurorit ndalet në qendrën e ndaljes për 48 orë, gjersa pasagjerja tjetër e lënduar është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet në IML për obduksion.


 
 
						 
						