Aktivisti lokal thërret Kurtin e Mustafën për marrëveshje

Qytetarët e Kosovës janë duke pritur në ethe ditën e nesërme, kur është ora e fundit për një marrëveshje koalicioni ndërmjet LVV e LDK, e cila shpëton vendin nga zgjedhjet e reja.

Aktivisti lokal Shemsedin Elezi u ka bërë thirrje qytetarëve që përmes mesazheve, t`i inkurajojnë liderët e dy subjekteve politike që të arrijnë marrëveshjen e shumëpritur.

Ja postimi i plotë i Elezit në profilin e tij në facebook:

Të gjithë po presim ditën e nesërme, e cila për Kosovën është jetësore, të startojë në rrugën e vetme, atë të ndryshimit e zhvillimit, punës e angazhimit, apo atë të ngelet në rrugën e stagnimit dhe destabilizimit.

Si një aktivist lokal, pak edhe politik, ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të kontribuojnë me mesazhe të matura, por këmbëngulëse, për arritjen e rezultatit final, atë të konstituimit të Parlamentit të Kosovës dhe marrëveshjes për koalicion LDK-VV.

Them me bindje të plotë se qytetarët që përbëjnë gjysmën e votuesve të të dy partive, janë nga po të njëjtat familje. Babai e nëna kanë votuar për LDK, kurse djali e vajza për LVV.

Unë me familjen e ngushtë (20 vota) kam votuar për LDK, përfshi edhe shumicën e rrethit familjar dhe fqinjët. Ky është realiteti në teren.

Jepini rast marrëveshjes dhe bashkëpunimit, pa lënë tema të hapura. Respekt për ata që mbeten jashtë kësaj formule qeverisëse.

Kemi premtuar angazhim e përkushtim. Le të fillojmë!, ka shkruar Shemsedin Elezi, këshilltar komunal në Gjilan.