Alpinisti nga Kosova bie nga lartësia në Valbonë, nuk mbijeton

Një alpinist nga Kosova ka ndërruar jetë të premten, në vendin e quajtur “Maja e thatë”, në Valbonë, raporton a2cnn.

Mësohet se alpinisti është rrëzuar nga shkëmbi për shkak të terrenit të thepisur.

Njoftimi i policisë:

Më datë 26.07.2024, rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se 1 shtetas kosovar, në vendin e quajtur “Maja e Thatë”, Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur drejt adresës së dhënë, së bashku me grupin e Emergjencave Civile të Tropojës.

Për shkak të terrenit të thepisur malor është kërkuar ndërhyrja me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e pajetë të shtetasit kosovar nga zona ku ka rënë.