Amaneti i nanës: ‘Shko bir, por nëse tradhton shokët mos m`u kthe kurrë’
Sabedin Sherifi, i biri i dëshmorit Sherif Sherifi e ka kujtuar sot me fjalë prekëse nënën e tij Fikrije Kelmendi Sherifi (1945-2921), e cila vdiq para një viti.
Sabedini i ka rikujtuar fjalët e nënës kur ishte nisur për në luftë: “Shko bir, por amanet, nëse tradhëton shokët mos m`u kthe kurrë”.
Pikërisht para një viti përfundoi rrugëtimi jetësor i nënës tonë. Nuk ndalej kurrë që të na e bënte jetën më të mirë e më të lehtë edhe kur kishim vështirësi, edhe në kohëra të mira. Nuk e kam parë kurrë që të mërzitej nga jeta që nuk ishte gjithmonë e lehtë. I shkëlqente fytyra nga gëzimi për sukseset dhe rritën e fëmijëve të saj, por edhe gjithë të tjerëve, e kurrë nuk ia pashë një çehre të rëndë nga ardhja e mysafirëve, të cilët i nderonte dhe mirëpriste me çka qëllonte gjatë gjithë jetës. Asgjë që kemi bërë për të nuk mund të jetë e barasvlefshme me tërë atë përkushtim, dashuri e sakrificë që bëri për ne. Më e pakta që mund të bëjmë ne, është ta përkujtojmë ndër vite, ndonëse jetojmë me mallin e saj për çdo ditë. Na mungon shumë e dashura nënë!

