Rikujtim: Nehat Ramadani, njeriu që i fitoi të gjitha sfidat, por e humbi betejën e fundit

Nehat Ramadani u nda nga jeta më 11 janar 2021 pasi e humbi betejën e gjatë me virusin. Ramadani ishte zv/ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës kur u nda nga jeta, një vit më parë.

Në trevjetorin e ndarjes së tij nga jeta, Mediafokus.info ju sjellë një profil të Nehat Ramadanit, profesionistit dhe personalitetit të jashtëzakonshëm, njeriut që u përballë dhe i fitoi të gjitha betejat në jetën, por e humbi këtë të fundit.

Nehat Ramadani ka lindur në Gjilan, më 15.04.1967. Shkollimin fillor e ka kryer në “Musa Zajmi”, në Gjilan, ndërkaq shkollën e mesme e ka mbaruar në dy cikle të ndara.

Dy vitet e para i ka vijuar në AMO “Arbëria”, drejtimi i përgjithshëm, për të vazhduar më pas në Gjimnazin matematiko-natyror “Zenel Hajdini”, po ashtu në Gjilan, drejtimi Teknik Laborant i Biologjisë.

Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë.

Ka mbaruar kursin intensiv pasuniversitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë, në vitin 2006.

Kishte përvojë afër 20-vjeçare në udhëheqje, shërbime këshilluese dhe konsulentë në shumë institucione publike vendore dhe kompani ndërkombëtare që kanë vepruar kryesisht nëpërmjet programeve mbështetëse në Kosovë.

Ndër të tjera, ka punuar këshilltar Politik i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, këshilltar në Asamblenë Komunale të Gjilanit (anëtar i LDK-së), udhëheqës i Inspeksionit Komunal, U.d. Kryeshef ekzekutiv i Administratës Komunale të Gjilanit, zëvendësdrejtor dhe drejtor në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Shërbime Veterinere në Gjilan dhe detyra të tjera.

Ramadani ishtre auditor i Certifikuar në Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë ISO 9001:2008, 2014; Menaxhimi i fondeve të IPA-s, Qendra për Inteligjencë Financiare, Certifikatë, Lubjanë 2010; Sfidat në Rindërtimin e shoqërisë multietnike, organizuar nga Instituti Amerikan për Paqe (USIP USA), 2001, si dhe shumë trajnime profesionale dhe administrative.

Një profil i tillë, dinamik, vetëmohues dhe i vendosur, i sinqertë dhe njerëzor, gjithmonë i angazhuar në shërbim të atdheut, do t`i mungojë Gjilanit dhe shoqërisë kosovare. /Mediafokus.info