Ambasadat kërkojnë drejtësi për Banjskën dhe arrestimin e Radoiçiqit

Sot bëhen 2 vjet nga sulmi në Banjskë.

Më 24 shtator të vitit 2023 një grup terrorist nga Serbia, i kryesuar nga Milan Radoiçiqi, synoi aneksimin e një pjese të Kosovës.

Si pasojë, u vra heroi Afrim Bunjaku.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar duke përkujtuar vdekjen e Rreshterit Afrim Bunjaku.

“Sot shënohet përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Ne vazhdojmë të vajtojmë humbjen e policit Afrim Bunjaku gjatë sulmit. Ne nderojmë profesionalizmin dhe guximin e Policisë së Kosovës për veprimin e tyre në rivendosjen e rendit më 24.09.2023, si dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të durueshme në hartimin e aktakuzës” thuhet në postimin e Ambasadës britanike.

“Autorët, përfshirë Millan Radoiçiqin, ende nuk janë kapur dhe sjellë para drejtësisë, dhe ne sërish u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë për këtë sa më shpejt që të jetë e mundur” përfundon postimi.

Arrestimin e Milan Radoiçiq e ka kërkuar edhe ambasada e Gjermanisë.

“Dy vjet që nga sulmi i tmerrshëm në Banjska, megjithatë, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit, Radoiçiq, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi. Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi”, thuhet në reagim.

“Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet më tutje.

Homazhe e vlerësim nga partitë për heroin Afrim Bunjaku

Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas homazheve që bëri te varri i rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në përvjetorin e dytë të vrasjes së tij nga terroristët serb në Banjskë të Zveçanit, vlerësoi lartë heroizmin dhe përkushtimin e tij për ta mbrojtur vendin.

“Ka mbrojtur qytetarët pa dallim duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit të gjithë. Të gjithë ne bashkë jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës. E theksoj guximin e dyfishtë, ai ia mësy i pari drejtë bllokadës Banjskë së Zveçanit, këtë e bëri si policë me përvojë, ishte polic 22 vjet prej të cilëve e 16 vjet rreshter tani e ka gradën heroi i Kosovës ku nuk mund t’ia marrë askush. Dua ta theksoj aspektin e guximit ai nuk lejojë që policët tjerë që ishin më të ri të saj t’ia mësyjnë bllokadës që ishte vendosur në rrugë nga kamionët nga grupi terrorist paramilitar të Serbisë të udhëhequr nga Radoiçiq nuk i la të rinjtë të vet sakrifikohet të vetëflijohet dhe vet mohohen para tij”, deklaroi Kurti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përkujtuar policin Afrim Bunjaku, i cili para dy viteve është vrarë në Basnjskë nga terroristët serbë.

Ai ka bërë me dije se Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se sakrifica e tij është e gdhendur në historinë e Kosovës.

“Dy vite më parë, në Banjskë, ra heroikisht në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë. Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tij është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut. Por, dy vite pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës. Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar sakrificën e policit Afrim Bunjaku, në 2-vjetorin e vrasjes në Banjskë.

“Sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim. Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi”, ka shkruar ai.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar policin Afrim Bunjaku, i cili është vrarë gjatë sulmit në Banjskë.

Në përvjetorin e vrasjes së tij, ai ka thënë se Bunjkau ra heroikisht në mbrojtje të paqes dhe sigurisë.

I pari i ka shprehur respektin për sakrificën e tij.

“Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të “Heroit të Kosovës”, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e rënies, shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, ka shkruar Haradinaj.