Ambasadori amerikan kërkon nga kandidatët që t’i respektojnë vendimet e gjyqësorit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve që nuk janë certifikuar që të respektojnë vendimet e gjyqësorit.

Në një intervistë për Kanal10, Kosnett ka thënë se ekziston procesi i ankesave për këtë procedurë.

“Komenti im për këtë është se mendoj për të gjithë ata që nuk janë certifikuar, të gjithë kandidatët potencialë që nuk janë certifikuar, ekziston procesi i ankesës. Ka proces gjyqësor dhe duhet ta respektojmë atë. Ambasada, qeveria ime shpesh ka marrë qëndrimin që është e domosdoshme, është e rëndësishme të respektohet sistemi gjyqësor, të respektohen gjykatat. Të mos thuhet: na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim. Pra, në këtë fushë ekziston procesi i ankesës, ka proces ligjor”, ka thënë Kosnett.

Duke komentuar denoncimin publik të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, Kosnett ka thënë se ajo është e aftë të argumentojë rastin në publik.

“Mendoj se kryesuesja Daka nuk ka nevojë që të flas në emrin e saj e as z. Kurti nuk ka nevojë që të flas në emrin e tij. Mendoj se këta njerëz janë mjaft të aftë për të argumentuar rastin e tyre në publik para popullit të Kosovës sepse kjo është audienca më e rëndësishme”, ka thënë Kosnett.