Amerika ndan vaksina për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndajnë Kosovës një numër të konsiderueshëm të vaksinave për COVID-19. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kosovës për vaksina, ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

SHBA-ja ka njoftuar se Kosova është ndër vendet me prioritet për ndarjen e vaksinave, nga 80 milionë dozat që ka planifikuar t’i ndajë për vendet e botës.

75 për qind e 80 milionë dozave do të ndahen nëpërmjet skemës COVAX. Ndarja do të bëhet në tre tremujorë. Për dozat e ndara nga COVAX-i prioritet do të jenë Amerika Latine, Azia dhe Afrika. 25 për qind e dozave do të ndahen menjëherë për vendet me më shumë rrezik. E Kosova është pjesë e listës së vendeve që do të përfitojnë nga 25 milionë dozat e para të ndara nga SHBA-ja. Kosova bashkë me Meksikën, Kanadanë, Korenë, Bregun Perëndimor, Ukrainën, Haitin, Gjeorgjinë, Egjiptin, Jordaninë, Irakun e Jemenin konsiderohen vende me prioritet. Për këto vende SHBA-ja ka ndarë 6 milionë doza.

Kosova deri tash ka marrë vaksina vetëm nëpërmjet skemës COVAX dhe Bashkimit Evropian. Vendi ka pranuar mbi 180 mijë vaksina “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, ndërsa janë kryer mbi 72 mijë vaksinime. Po ashtu Qeveria njoftoi javën e shkuar se ka arritur marrëveshje për blerjen e 1.2 milionë vaksinave nga “Pfizeri” deri në fund të vitit.