Anestezistët kosovarë e përjetojnë rëndë vdekjen e kolegut të tyre Isak Maxhuni
Vdekjen e mjekut Isak Maxhuni, në moshë relativisht të re, e kanë përjetuar rëndë kolegët e tij në gjithë Kosovën, veçmas anestezistët.
“Momentet e vështira po na përcjellin edhe më tutje, të cilat po i përjetojmë rëndë”, kanë shkruar kolegët e tij anestezistë.
“Sot, me dhimbje të thellë, konstatuam se Dr Isak Maxhuni-Anesteziolog&Intensivist e humbi betejën me sëmundjen.
Gjatë jetës së tij profesionale, të cilën e ushtroi në Klinikën e Anesteziologjisë, ishte një njeri i urtë, punëtor, i respektueshëm ndaj kolegëve dhe gjithmonë afër pacientëve për ti ndihmuar, sidomos ata në nevojë.
Përkundër angazhimeve profesionale, ishte i përkushtuar në ndjekjen e ngjarjeve të rëndësishme, të organizuara nga Asociacioni Kosovar i Anesteziologëve.
Vazhdoi të punoj në institucione private shëndetësore, besojmë me të njëjtat virtyte.
E nderuar Familje e Dr Isak Maxhunit
Në emër të Asociacionit Kosovar të Anesteziologëve dhe në emër të të gjithë punëtorëve të Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, pranoni ngushëllime të sinqerta për humbjen e familjarit tuaj, me të cilën bashkëndjehemi të gjithë ne.
Kujtimi për jetën dhe veprimtarinë e Dr Isakut, do të jetë i përjetshëm.”
Një dedikim të veçantë e ka bërë edhe dr Ukshin Ismajli, drejtor klinik në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, po ashtu anestezist.
“Ike shpejt, por ishe dhe do te mbetesh një koleg dhe profesionist fjale pak e pune shume, i buzqeshur dhe plot energji pozitive.
Edhe një koleg me pak në Anesteziologji. Humbje e madhe.
Prehu në paqe se paqësor ke qenë.”