Anëtarët tjerë të familjes në Stubëll thonë se nuk kanë asnjë problem
Njëri nga anëtarët e familjes së prekur nga coronavirusi në Stubëll të Vitisë, është lajmëruar për Radio-Dukagjini dhe ka thënë se po ndihen mirë të gjithë, përfshirë edhe gjyshen.
Në disa media ishte raportuar se fëmijët e kësaj familje, kishin ngelur të ngujuar në shtëpi, pa përkujdesje dhe se po vuanin nga temperatura e lartë dhe ethet.
Djali foli me qetësi dhe e përshkroi tërë situatën. “Jemi mirë, nuk kemi probleme tani për tani”, tha ai.
Edhe babai i tij, i cili foli për Radio-Dukagjinin nga Klinika Infektive, tha se po i respekton këshillat e mjekëve për t`u izoluar shkaku i infektimit me koronavirus, përndryshe tha se nuk po ndien asgjë problematike sa i përket shëndetit.
“Mjekët na kanë thënë se duhet me ndejt në spital dhe ne jemi këtu shnosh e mirë. Baba është pak më keq, por ai ka edhe probleme tjera kronike”, tha ai.
Mediat kanë raportuar se një ekip mjekësor është nisur për t`i vizituar anëtarët e kësaj familje në Stubëll./mediafokus.info

