Anija fantazmë dërgon kokainë me vlerë 80 milionë dollarë në ishullin e largët

Autoritetet në Ishujt Marshall kanë gjetur ngarkesën më të madhe të drogës, në një varkë të braktisur në breg.

Mendohet se anija me 649 kg kokainë, që kap vlerën e 80 milionë dollarëve, mund të jetë zhvendosur nga Amerika Latine, duke kaluar ndoshta muaj të tërë në Oqeanin Paqësor.

Anija me gjatësi 5.5 metra u gjet nga një banor i cili u mundua ta lëvizë, por kuptoi se ajo ishte shumë e rëndë. Pasi njoftoi policinë, u zbulua se brenda saj kishte qindra pako me drogë, në një ndarje të fshehur brenda barkës, raporton A2CNN.

Prokurori i Përgjithshëm i Ishujve Marshall, Richard Hickson, tha se anija mund të ketë lundruar për më shumë se një vit dhe ka shumë të ngjarë të ishte nga Amerika Qendrore ose Jugore.

Rrymat e Oqeanit Paqësor shpesh shtyjnë mbetjet nga atje në Ishujt Marshall, ndaj kjo nuk është ngarkesa e parë e drogës që kapet në ishull.

Pjesën më të madhe të kohës, droga e gjetur shitet nga vendasit dhe nuk raportohet tek autoritetet. Kjo gjë ka çuar në përdorimin e shumtë të kokainës nga banorët lokalë, dhe spitalet kanë raportuar një rritje të pacientëve me komplikime në lidhje me konsumimin e drogës.