Ankohet pushuesi kosovar, 2 orë rrugë për 25 km

Për të përshkuar 25 km rrugë nga Miloti në Shëngjin, Ilmi Beqirit nga Kosova i janë dashur më shumë se 2 orë. Ai ka ardhur bashkë me familjen për të kaluar pushimet verore në bregdetin e Shëngjinit, por gjatë rrugës u përball me një trafik shumë të rënduar.

“Unë jam nga Kosova dhe kam ardhur për të kaluar pushimet verore këtu në Shëngjin. Në Milot u përballa me një trafik shumë të rënduar dhe shpeshherë kishte dhe bllokim total të lëvizjes. Më shpejt kam ardhur nga Morina në Milot, ndërsa nga Miloti në Shëngjin që është shumë afër më është dashur më  shumë se 2 orë për të arritur në destinacion. Nuk e  kisha menduar kështu, por trafiku ishte tmerr i vërtet dhe nuk e kuptoj pse ndodh diçka e tillë”, shprehet turisti nga Kosova, raporton panorama.al

Përballë fluksit të lartë të automjeteve duket se është  “dorëzuar” edhe vetë Policia Rrugore, e cila pavarësisht përforcimeve nuk ka arritur që të shmangë trafikun.

Shefi i Qarkullimit Rrugor, Altin Mena, thotë se mungesa e standardeve në rrugë bëhet shkak për trafikun e rënduar, ndërsa shton se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin gjatë sezonit veror.