Publikimi i mesazheve: Anton Quni e pyet ministrin për kapje të shtetit, Maqedonci tenton të arsyetohet

Gazeta Nacionale gjatë javës së kaluar publikoi mesazhe ndërmjet deputetit të VV-së, Enver Dugolli dhe minsitrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Këta të dy, diskutonin lidhur me një shqetësim që kishin se dikush nga kabineti po lobon për një emër për komisioner të FSK-së. Kjo, në kundërshtim me preferencat e ministrit Maqedoni dhe udhëzimeve të Dejona Mihalit.

Këtë temë e ngriti në Komision Parlamentar edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni.

“Unë do e ngris një çështje. Është një shqetësim jo vetëm në interesim timin, por edhe të publikut që del si një veprim gjatë seancës së fundit në Parlament, ku kolegu im nëpërmjet mesazheve, deputeti Enver Dugolli komunikon me juve në lidhje me një marrëveshje paraprake të juajën, të komandantit të FSK-së dhe autoriteteve të larta të VV-së, për orientimin e juaj kënd do e mbështetni për komisioner të FSK-së”, tha në fillim Quni.

“A e shihni të rrezikshme kur bëhen marrëveshje të tilla, presione të tilla, të sigurohet funksionimi i nepotizmit, dhe disa autoritet brenda ministrisë të jenë të paprekshme. Kjo dukuri në botën moderne quhet kapje e shtetit. Në bazë të mesazheve del se ka përpjekje që disa veprimtari të jenë të kontrolluara dhe të gjitha ato kërkesa që do të dalin në të ardhmen tek komisioneri i FSK-së, thjesht të mbesin brenda organizatës dhe askush mos të merret me këto çështje”, deklaroi më tutje deputeti i LDK-së.

Megjithatë, ministri Maqedonci tentoi të arsyetohet. Ai tha se pikërisht komunikimi, ka qenë për ta ndaluar ndërhyrjen nga kabineti.

Këtë arsyetim ai e dha pavarësisht fjalëve që Dugolli ia kishte shkruar, se disa deputetët po dalin kundër vendimeve tua.

“Plotësisht jam për atë që mos të ndërhyhet në aspektin e vendimmarrjes sidomos Parlamentit. E drejta për të përzgjedhur atë që vlerësojnë se është më i miri është e drejtë individuale e çdo deputeti. E drejt e secilit është që të koordinohet me grupin parlamentar për tu përcaktuar për komisionerin. Unë në komunikimin që kam pasur me Dugollin nuk kam shfaqur asnjë preferencë, shqetësimi i deputetit ka qenë te ndërhyrja e kabinetit tim në favor të një kandidati, që kanë qenë shqetësuese për mua. Të tre kandidatët i njoh dhe kam respekt të veçantë. Vlerësoj se kjo është kompetencë e Kuvendit të Kosovës për të përzgjedhur. Unë nuk e besoj që kjo çështje është konstruktuar për të pasur synim që të kontrollohet diçka”, tha ai.

Nacionale ka siguruar disa mesazhe ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoni. Kjo lidhur me votimin e komisionerit parlamentar të FSK-së.

Në garë për këtë pozitë që pritej të votohej në Kuvend, ishin 3 kandidatë: Remzie Zeqiraj, Sami Hajrullahu dhe Fadil Hadërgjonaj.

Dugolli i shkruan ministrit Maqedonci se dikush nga kabineti i tij po bën fushatë për një kandidat tjetër, e jo për të cilin ka thënë ministri.

“Ministër, po ju njoftoj se dikush nga kabineti juaj, pa dijenin tuaj dhe në kundërshtim me propozimin tuaj dhe të KOMFSK, po thërrasin deputetët dhe po iu shkruajnë në emër të kabinetit që të përkrahet Samiu për komisioner”, thuhet në mesazhin që Dugolli ia dërgoi ministrit Maqedonci në WhatsApp, bisedë të cilën e ka siguruar Nacionale.

E ministri ia kërkon Dugollit emrat e atyre që po bëjnë fushatë fshehtas ndaj tij. Dugolli i tregon se është Rabit Konjufca, këshilltari i ministrit, njëherësh xhaxhai i kryeparlamentarit Konjufca.

“Kush është, a keni ndonjë info”, e pyet ministri Maqedonci.

“Rabiti është njëri por do shoh mos është edhe dikush tjetër”, ia kthen deputeti Dugolli.

E këtu, ministri i Mbrojtjes duket se indirekt paralajmëron masa.

“Ok se më duhet masanej me u marr me ta”, ia ktheu Maqedonci.

E këtu Dugolli i tregon ministrit se në mbledhjen para seancës, Dejona Mihali ua tha “troç” kënd ta votojnë.

“Besoj që po sepse kjo nuk len shije të mire me vepru në kundërshtim me vendimet tua. Dejona ua tha troç qëndrimin tuaj dhe të KOMFSK por më habiti fakti se si kanë guxim nga kabineti yt me bë këso veprime”, tha ai në mesazhin e siguruar nga Nacionale.

Megjithatë, këtu nuk ndalet gjithë ky komunikim. Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, më pas komunikon me deputetin e PDK-së, Isak Shabani. Atij i kërkon ta votojë njërin kandidat, për të cilin Shabani pajtohet dhe ia konfirmon votën.

“A do merrni pjesë në votimin për komisioner të FSK-së”, e pyeti Dugolli kolegun e tij nga opozita.

“Po”, përgjigjet shkurt Shabani.

“A ke ndonjë përcaktim” e pyet sërish Dugolli.

“Unë jo, s’du me përkrah askënd. Për Hadërogjen kanë disponim disa”, ia ktheu Isak Shabani i PDK-së.

E këtu deputeti i pushtetit ia tregon kërkesën e tij kolegut opozitar.

“Votoje për mua Remzijen”, i tha Dugolli.

“Po e votoj pa problem. Nëse thua ti”, tha Shabani.

“Është me integritet, invalide e luftës”, ia ktheu deputeti Dugolli.

Nacionale ka kontaktuar me deputetin e VV-së, Enver Dugolli, i cili ka thënë se nuk ka asgjë të keqe nga komunikimet që kanë bërë.