Anulohen dy çmime të konkursit letrar ‘Pena e Flakës’, kjo është arsyeja

Asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, me seli në Gjilan, si projektues dhe organizues i pjesës letrare të Manifestimit kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit” 2021, të titulluar si “Pena e Flakës”, përkatësisht Grupi i Punës i kësaj shtylle të Manifestimit në përbërje Sabit Rrustemi, Albina Idrizi e Nexhat Rexha, ka bërë verifikimin e krijimeve të shpërblyera letrare nga ana e Jurisë profesionale (Adem Gashi, Linditë Ramushi Dushku e Mehmetali Rexhepi) dhe i konstaton këto gjetje:

– Poezia e shpërblyer me Çmimin e dytë nga ana e Jurisë, e titulluar BALADË, me shifër “Vetëm 5 minuta” autore e së cilës doli të jetë Rozafë Shpuza nga Shkodra, është  publikuar më parë në gazetën (Portal) OBSEVERKULT,  me datën 17 tetor 2019.

– Tregimi i shpërblyer me Çmimin e tretë nga ana e Jurisë letrare, i titulluar PALLATI I SORRAVE, pa shifër, që doli të jetë më pas i Bajramali Selimit nga Gostivari, gjithashtu rezultoi i publikuar me datën 3 janar 2021 në Portalin A NEWS 24

Sabit Rrustemi nga Ars Club “Beqir Musliu”, ka thënë se nisur nga këto dy të dhëna, shihet qartë se publikimi paraprak i këtyre dy krijimeve e zhvlerëson anonimitetin e tyre dhe bie ndesh me kriteret  e Konkursit anonim letrar, të bëra publike që nga 9 dhjetori i vitit 2020 e deri më 9 janar 2021, në faqen zyrtare të komunës së Gjilanit, në disa portale gjithashtu po edhe përmes rrjeteve sociale nga anëtarët e Ars Clubit “Beqir Musliu”, kritere këto që kanë qenë fuqi tash e tridhjetë vjet.

Prandaj, këto dy Çmime, anulohen vetvetiu.

“Mbetemi me shpresë që raste të tilla të mos na përsëriten, e krijuesit letrar, kudo që ndodhen e krijojnë shqip, derën  gjithnjë do ta kenë të hapur, në përputhje me traditën tashmë tridhjetëvjeçare të këtij Manifestimi”, ka thënë Rrustemi.

Për Ars Clubin “Beqir Musliu”: Sabit Rrustemi, Albina Idrizi, Nexhat Rexha.