Anxhela e prezanton Shqipërinë në Eurovision me veshje kombëtare

Këngëtarja e njohur shqiptare, Anxhela Peristeri do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në “Eurovision”, me këngën  “Karma”.

Këngëtarja teksa është duke promovuar projektin muzikor, ka realizuar disa fotografi me veshje kombëtare, përmes së cilave do të transmetojë kulturën dhe origjinën shqiptare.

Faqja zyrtare e “Eurovision”-it në Instagram i ka publikuar këto fotografi të këngëtares shqiptare, duke i ndarë kështu me ndjekësit e shumtë.

“Shikojini këto fotografi mahnitëse të Anxhela Peristerit, ndërsa ajo u bën dedikime shqiptarëve në të gjithë botën”, ka shkruar faqja zyrtare e “Eurovision”-it.

Në këtë postim vihet re se pëlqimet dhe komentet kanë qenë të shumta nga fansat e “Eurovision”-it nga mbarë Evropa, të cilëve duket se u kanë pëlqyer shumë fotot e artistes me veshje tradicionale shqiptare.