Apeli i Arbër Ismajlit: Mos i stigmatizoni të prekurit me Coronavirus
Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka bërë thirrje që të mos stigmatizohen të prekurit me coronavirus.
“Një gjë e dimë të gjithë. Nuk është marre me u prek prej Coronavirusit. Marre është të stigmatizohen të prekurit. Mesazhi im është që të mos i damkosni njerëzit sepse nga kjo sëmundje mund të prekemi secili prej nesh”, ka shkruar, përveç tjerash, Ismajli, në profilin e tij në Facebook, transmeton Mediafokus.info.
Ja statusi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Po bëhet gati një muaj që kryetari z. Lutfi Haziri, e ka themeluar Qendrën Operative dhe Komitetin Emergjent kundër përhapjes së pandemisë së #Covid19.
Gjatë kësaj kohe, kemi parë e dëgjuar jo pak herë se në përgjithësi të infektuarit me #Covid19 në Kosovë, janë ndier të turpëruar, ndërkaq prej të tjerëve kemi parë se i kanë stigmatizuar të prekurit.
Një gjë e dimë të gjithë. Nuk është marre me u prek prej Coronavirusit. Marre është të stigmatizohen të prekurit.
Mesazhi im është që të mos i damkosni njerëzit sepse nga kjo sëmundje mund të prekemi secili prej nesh.
T’i përmbahemi strikt rregullave të profesionistëve të shëndetësisë, të jemi të kujdesshëm maksimalisht. Pa stigmë, ju lutem!
#bashkëiadalim

