Apeli i Arditës: Kjo situatë kërkon mobilizim dhe solidaritet të përgjithshëm
Ardita SINANI
Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës, të gjithë së bashku jemi duke kaluar një situatë të jashtëzakonshme shkaku i pandemisë.
Kjo situatë në të cilën gjendemi kërkon një mobilizim dhe solidaritet të përgjithshëm nga secili prej nesh, në veçanti nga organet kompetente në kuadër të pushtetit lokal.
Gjendja e vështirë ekonomike ka bërë që disa nga bashkëqytetarët tanë ta kenë më të vështirë këtë situatë.
Me këtë rast dhe për këtë arsyeje unë i bëj thirrje pushtetit lokal që të jetë në lartësinë e seriozitetit, detyrës dhe obligimeve të veta duke ngritur nivelin e identifikimit dhe përkujdesjes për shumë familje në nevojë.
Në këtë kohë, komuna e Preshevës duhet të sigurohet që çdo familje t’i ketë gjërat elementare, të nevojshme për një jetë sa më normale.
Njëkohësisht, në këtë situatë kur shumë nga bizneset lokale janë të mbyllura dhe rrezikojnë falimentimin, duke rrezikuar që të lënë shumë punëtorë pa punë, shumë familje pa burimin e vetëm të ekzistencës, i bëj thirrje pushtetit lokal që ta ngrit nivelin e seriozitetit. duke hartuar një plan të veprimit për të ndihmuar këto biznese.
Situata e kërkon që komuna e Preshevës me urgjencë t’i ndihmojë financiarisht bizneset lokale, në mënyrë që asnjë biznes të mos falimentoj, asnjë punëtor të mos mbetet pa punë!
Të dashur qytetarë, dua që të ju inkurajoj që pa panik, me kujdes të shtuar të rrini në shtëpitë tuaja, duke respektuar rregullat e vendosura nga profesionistët sepse të bashkuar dhe me ndihmën e Zotit do ta kalojmë këtë situatë!

