Apeli ia zbut dënimin të akuzuarit për vrasjen dhe djegien e shokut

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj ndaj të akuzuarit Trimor Lalinovcit, i cili kishte qenë i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe djegien e trupit të shokut të tij, Shkodran Bytyqit, shkruan Mediafokus.info.

Lalinovci ishte dënuar me burgim të përjetshëm, dënim të cilin Gjykata e Apelit e ka ulur në 30 vjet burgim.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Apeli, përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Gjykata e Apelit shqyrtoi rrethanat lehtësuese dhe renduese të cilat i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë, dhe vlerësoi se në rastin konkret, dënimi më burgim të përjetshëm, është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij, e të cilat rrethana parashihen në nenin 70 paragrafi 3, pika 3.6, 3.10, dhe 3.11 të KPRK-së. Nisur nga këto Gjykata vlerësoi se edhe më këtë sanksion penal, mund të arrihet qëllimi i dënimit, i përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatë.