Apeli vërteton vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nuredin Lushtakut

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj të pandehurve Faton, Nuredin dhe Arif Lushtaku.

Vendimi për vërtetimin e aktvendimit të shkallës së parë në lidhje me caktimin e masës së paraburgimit ndaj të tre të pandehurve si më lartë, është marrë nga Gjykata e Apelit më 20 korrik 2022.

Një masë e tillë iu është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtët kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, kurse Faton dhe Arif Lushtaku për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi kontroll apo posedim të paautorizuar të armës” dhe veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, në bashkim real me veprën penale të mëparshme.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kundër këtij aktvendimi në afat ligjor ka paraqitur ankesë mbrojtësi i të pandehurit Faton Lushtaku, avokati Agron Hoti për shkak të shkeljeve qenësore të dispozitave të nenit 187 të KPP-së dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Avokati Hoti në ankesën e paraqitur ka propozuar që të ndryshohet aktvendimi dhe i pandehuri të mbrohet në liri, apo t’i caktohet ndonjë masë tjetër alternative.

Lushtaku bashkë me disa familjarë, ishte arrestuar për shkak të dyshimit se ka sulmuar policët gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.