Arrestohen në Gjilan dy të dyshuar për vjedhje të rëndë

Drejtoria rajonale e policisë Gjilan, njësiti i hetimeve të stacionit policor Gjilan, si rezultat i një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve hetimore, ka arritur që të lokalizojë dhe arrestojë dy të dyshuar B.G. (viti i lindjes 1988, mashkull kosovar shqiptar) dhe A.S. (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar shqiptar).

Arrestimi i tyre është bërë pasi dyshohet se ata kanë qenë të involvuar në një rast ,,Vjedhje e rëndë’’ më 09.01.2023 në një objekt banimi në qytetin e Gjilanit, ku janë vjedhur një shumë e konsiderueshme e parave, bizhuteri e gjëra të tjera.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ndaj të dyshuarve ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe rasti me kallëzim penal do të përcillet në Prokurorinë Themelore, thuhet në njoftim.