Arrestohen tre persona, dyshohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit

Janë arrestuar 3 persona nën dyshimin e bazuar për ‘organizim të skemave piramidale dhe bixhozit’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ka njoftuar policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas pranimit të një informate lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, që në vazhdimësi merrej me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit, me datën 15 tetor 2020 ka ndërmarrë një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe të Drenasit, ku janë përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme.

Operacioni policor, i bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, ka rezultuar me arrestimin e tre (3) personave të dyshuar dhe ushtrimin e kontrollit në lokalet ku është zhvilluar kjo veprimtari e kundërligjshme.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë: D. E. (1985), A. E. (1986) dhe A. F. (1998), tº tre kosovarë/shqiptarë.

Ndërsa janë sekuestruar si prova materiale: 14 (katërmbëdhjetë) aparate të lojërave të fatit, 2 (dy) lojëra KENO, 1 lojë me qen, 1 (një) shtëpizë kompjuteri, 1 (një) DVR, 1477 (njëmijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë) euro, 2 (dy) armë zjarri, 10 (dhjetë) fishekë kalibrash të ndryshëm, 7. 7 gramë substancë e dyshuar narkotike (kokainë), 1 (një) telefon celular, 4 (katër) komplete letra dhe zare pokeri.

Personat e dyshuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.