Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmet në veri
Policia e Kosovës (PK), pas sulmeve kriminale terroriste të ndodhura në veri të vendit, me 26.11.2024 (sulmi ndaj stacionit të policisë në Zveçan), me 28.11.2024 (sulmi ndaj objektit të komunës në Zveçan), si dhe sulmi i fundit me datën 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit Ibër-Lepenci, ka vazhduar me realizmin e detyrave dhe autorizimeve të saj kushtetuese dhe ligjore, duke aplikuar masa shtesë në interes të parandalimit të akteve të tilla kriminale, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim.
Situata e sigurisë në veri të vendit, aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së.
Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024, në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.
Në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është zbatuar kontrolli në shtëpinë ku banonte i dyshuari, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale, si më poshtë:
· Katër (4) granata dore
· Një (1) pushkë gjuetie
· Mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm
· Dy (2) karikatorë të armës automatike AK-47
· Një (1) karikatorë i pushkës së gjatë
· Një (1) radiolidhje
· Një (1) pale dylbi
· Një (1) kamerë kamufluese
· Uniforma ushtarake dhe
· Dokumente të ndryshme
Me urdhër të Prokurorit përgjegjës të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të angazhohet në zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë.
Njëherit, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, thuhet në njoftim.

