Arrestohet me narkotikë një rumun në Morinë
Policia Kufitare në Kukës ka goditur një rast të tentativës së trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, raporton a2CNN.
Në pranga është vënë një shtetas rumun me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.
48-vjeçari kishte fshehur dhjetëra pako me kanabis në pjesën e poshtme të makinës.
“Në operacionin policor të koduar “Indicia”, shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin rumun F. B., për të cilin disponohej informacion i marrë përmes inteligjencës informative, nga strukturat hetimore të DVP Kukës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë kontrollit të imtësishëm, në pjesën e poshtme të automjetit të tij në shasi, në një hapësirë të përshtatur për të fshehur lëndë narkotike, u gjetën dhjetëra pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 70 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe me 2 aparate celulare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon hetimi i thelluar, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

