Arrestohet në Prishtinë i dyshuari që kërcënoi vëllain e tij
Një rast kanosjeje brenda familjes është finalizuar sot me arrestimin e të dyshuarit Alban Osmani, 32 vjeç, nga Prishtina, i cili kishte qenë në kërkim që nga 26 tetori 2025, pas një konflikti me vëllanë e tij, Rigon Osmani.
Sipas të dhënave nga Policia, më 26 tetor rreth orës 16:00, në rrugën “Avdullah Tahiri” në Prishtinë, i dyshuari kishte kanosur seriozisht vëllain e tij, duke shkaktuar shqetësim të menjëhershëm te familjarët.
Pas denoncimit të rastit, policia kishte bërë përpjekje për ta kapur të dyshuarin, por ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas disa ditësh kërkimesh, më 1 nëntor 2025, ai është arrestuar në rrugën “Sami Plakolli” dhe menjëherë është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor dhe rasti është proceduar për veprime të mëtejme ligjore.

